Mosmarrëveshjet Francë-Turqi rreth karikaturave dhe ndikimit në Afrikë

Evropë

Mosmarrëveshjet Francë-Turqi rreth karikaturave dhe ndikimit në Afrikë

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 22:25
Turqi

Replikat mes Francës dhe Turqisë lidhur me karikaturat që portretizojnë Profetin Muhamed, nxitur nga incidenti i vrasjes së një mësuesi francez me prerje koke, vazhdon të përshkallëzohet.

Por pas stuhisë diplomatike mbi lirinë e shprehjes dhe ndjeshmërinë fetare është një rivalitet i ashpër për ndikim në Afrikë.

Mes duartrokitjeve nga deputetët parlamentarë të partisë së tij, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan akuzoi të mërkurën vendet perëndimore se po kërkonin të rifillonin kryqëzatat. Kritikat e fundit të Erdoganit vijnë ndërsa presidenti franez Emmanuel Macron i doli në mbrojtje botimit të karikaturave të profetit të fesë myslimane.

Image

Presidenti Erdogan tha se është një çështje nderi për Turqinë të mbajë qëndrim kundër sulmeve ndaj Profetit.

Presidenti turk ka kërkuar ta paraqesë veten si një mbrojtës global i të drejtave të myslimanëve. Por mosmarrëveshja aktuale mbi karikaturat është pjesë e një rivaliteti në rritje midis Francës dhe Turqisë, thotë analisti Sinan Ulgen i institucionit kërkimor Edam në Stamboll.

"Ekziston një pozicionim i ndryshëm rajonal ndërsa Franca ka krijuar një aleancë strategjike me Emiratet e Bashkuara Arabe me synimin për të luftuar kundër ndikimit të Islamit politik në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore," thotë analisti Ulgen. "Dhe me Turqinë nga ana tjetër shihet se i përket kampit që mbështet Islamin politik përmes marrëdhënieve të saj me entitetet e ndryshme dhe Vëllazërinë Myslimane"

Franca dhe Turqia mbështesin palët rivale në luftën civile në Libi, ndërsa Erdogani është një kritik i fortë i Presidentit egjiptian Abdel Fattah el-Sissi, një aleat kryesor i Francës. Turqia tani po sfidon ndikimin e fuqishëm të Francës në vendet me shumicë myslimane të Afrikës Perëndimore që dikur ishin koloni franceze, thotë Emre Caliskan i Universitetit Britanik të Oksfordit.

"Turqia, si një force e re, një fuqi në zhvillim, me interesat dhe praninë e saj po kërcënon interesat franceze dhe anasjelltas," thotë analisti Caliskan. "Turqia po përpiqet të sigurojë rajonin përreth Libisë. Erdogani vizitoi së fundmi Nigerin dhe Turqia së fundmi është angazhuar në Mali.

Më herët këtë vit, Turqia nënshkroi një marrëveshje mbrojtjeje me Nigerin. Ushtria turke tashmë ka një prani në Libi. Tani për tani, analistët thonë se përparësia e Ankarasë është të vendosë një prani strategjike në rajon. Por kompanitë turke i kanë sytë gjithashtu tek tregjet afrikane të dominuara aktualisht nga firmat franceze, të cilat analistët thonë se vetëm mund të shtojnë rivalitetin e thelluar midis Turqisë dhe Francës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat