Sulmi i tmerrshëm u krye nga një i ri për të cilin askush nuk kishte dëgjuar, zbulohet se si kishte hyrë në Francë

Evropë

Sulmi i tmerrshëm u krye nga një i ri për të cilin askush nuk kishte dëgjuar, zbulohet se si kishte hyrë në Francë

Nga: D.G. Më: 30 tetor 2020 Në ora: 08:18
Gjakderdhja në Nicë, Vincent Loques (në mes)

Tunizian i ri i dyshuar për vrasjen e tre personave  të enjten ka ardhur në Francë me një kartë identifikimi të lëshuar nga Kryqi i Kuq Italian, në Nicë ka udhëtuar me tren, i ka ndërruar rrobat në në stacionin e trenit dhe ka shkuar në këmbë drejt kishës ku filloi sulmi, tha prokurori francez.

Jean-François Ricard, kryeprokurori i Francës për terrorizëm, tha se sulmuesi tunizian ka lindur më 1999 dhe ka ardhur në Paris më 9 tetor.

Ricard tha se sulmuesi u filmua nga kamerat e vëzhgimit në një stacion treni në Nicë dhe prej aty ka ecur 400 metra deri në kishën e Notre Dame.

Shërbimet e sigurisë tuniziane dhe burimet nga policia franceze thanë se sulmuesi quhet Brahim Aouissaoui.

Prokurorët në Tunizi hapën hetimin e tyre ndaj sulmuesve nga Nica të Enjten.

Image

Qytetarët ndezin qirinj para katedrales

Aouissaoui ka jetuar në qytetin tunizian të Sfax kohët e fundit dhe të enjten policia mori në pyetje familjen e tij që jetonte atje, tha një burim i policisë tuniziane.

Prokurori Mohsen Dali i tha agjencisë dpa se hetimi filloi sapo arritën informacionet në lidhje me të dyshuarin për sulmin.
Aouissaoui nuk ishte në listën e të dyshuarve, militantë të mundshëm, të policisë tuniziane para se të largohej nga vendi më 14 shtator, tha Dali.

Një burim nga policia franceze tha se Aouissaoui nuk ishte i njohur për shërbimet e inteligjencës franceze.

Tuniziani arriti para do kohe në Evropë nga Lampedusa, pika kryesore e hyrjes ilegale në Evropë për migrantët nga Tunizia, sipas burimeve pranë çështjes. Është pohuar gjithashtu se pas Lampedusa më 9 tetor, ai gjithashtu qëndroi në Bari, Itali. Tek ai u gjet një qese që përmbante dy thika të papërdorura.

Aouissaoui bërtiti "Allahu ekber" gjatë sulmit, në të cilin ai i preu kokën një gruaje dhe vrau dy persona të tjerë me thikë.
Policia e plagosi atë me armë zjarri gjatë ndërhyrjes dhe ai ndodhet në spital.

Një nga tre personat e vrarë nga tuniziani ishte Vincent Loques, administratori i famullisë. Fotoja e tij u postua nga politikani vendas Eric Ciotti duke thënë se ai ishte një punonjës besnik në Katedralen Notre-Dame.

Ministria e jashtme tuniziane gjithashtu dënoi sulmin, duke thënë se ai "hedh poshtë plotësisht të gjitha format e terrorizmit, ekstremizmit dhe dhunës" dhe qeveria u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave të sulmit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat