Kanë filluar në Gjenevë të Zvicrës bisedimet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, të cilat po ndërmjetësohen nga Grupi i Minskut, i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Franca.
Këto bisedime janë përpjekja më e re për t’i bindur dy ish-republikat sovjetike që t’i ndërpresin luftimet dhe të arrijnë armëpushim afatgjatë mes vete. Më herët, bisedimet për armëpushim janë ndërmjetësuar veç e veç nga Rusia dhe Shtetet e Bashkuara, por pa sukses.
Bisedimet u hapën me takimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Armenisë me përfaqësuesit e Grupit të Minskut, ndërsa më pas, këta përfaqësues u takuan edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Ceyhun Bayramov, shkruan Free Europe.
Këto bisedime ishin paraparë të fillonin të enjten, por u shtynë për një ditë për shkak të shpërthimit të luftimeve në Nagorno-Karabak.
Azerbajxhani tha të enjten se ia ka dorëzuar Armenisë trupat e 29 ushtarëve të vrarë gjatë luftimeve, ndërsa me armëpushim synohet edhe shkëmbimi i të burgosurve.
Luftimet mes dy vendeve të Kaukazit Jugor filluan me 27 shtator. Prej asaj kohe, qindra ushtarë dhe disa civilë janë vrarë nga të dyja palët. Fuqitë botërore dhe Kombet e Bashkuara vazhdimisht kanë bërë thirrje për ndërprerjen e luftimeve, por palët e konfliktit i kanë injoruar këto thirrje deri më tani.