Gazetari turk: Tërmeti ishte i pakrahasueshëm me tërmetin e viteve '90

Evropë

Gazetari turk: Tërmeti ishte i pakrahasueshëm me tërmetin e viteve '90

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 22:41
Pamje nga tërmeti në Turqi

Kryeredaktori i gjuhëve në Agjencinë Anadolu, tregoi në një intervistë për Euronews Albania detaje nga tërmeti që goditi Turqinë. Sipas tij, ky tërmet është i pakrahasueshëm me tërmetin e viteve '90, që i mori jetën afro 17 mijë personave.

Një ditë të trishtë për Turqinë e ka cilësuar të sotmen Mehmet Ozturk, kryeredaktori i gjuhëve në Agjencinë Anadollu. Në një intervistë për Euroneës Albania, ai tregoi disa caste nga tërmeti.

“Pati panik mes njerëzve në zonë. Ata të gjithë dolën nga shtëpitë sepse ishte një tërmet i madh që zgjati 15 sekonda. Ishte një tërmet i tmerrshëm dhe i frikshëm, por njerëzit në Turqi duhet të familjarizohen me tërmetet dhe të marrin masa mbrojtëse”, tha Ozturk.

Sipas tij, dy janë arsyet përse pati godina të rrëzuara nga ky tërmet, edhe pse në Turqi funksionon ligji që rregullon mënyrën e ndërtimit.

“Një numër i vogël godinash u rrëzuan. Pas tërmetit të madh në fund të viteve ’90 në rajonin e Marmarasë, parlamenti miratoi një ligj që godinat të ndërtoheshin sipas rregullave të caktuara. Ndoshta ato që u rrëzuan ishin godina të vjetra, ose ndoshta ndërtuesit nuk i kishin ndërtuar në mënyrën e duhur. Por në përgjithësi, për shkak të legjislacionit të miratuar nga parlamenti pas tërmetit madhor në Stamboll në fund të shekullit të kaluar, numri i viktimave gjatë tërmeteve është reduktuar’, deklaroi ai.

Për zotin Ozturk, ky tërmet është i pakrahasueshëm në forcë dhe shkatërrim me tërmetin e fundshekullit të kaluar.

“Ky tërmet ishte si pasgoditjet e tërmetit të madh të ’99. Dikush tha se ishte 7.4, të tjerë thanë se ishte 7.6. Popullsia e prekur nga ai tërmet arrinte ndoshta 30-40 milionë persona dhe viktimat nëse më kujtohet mirë ishin më shumë se 15.000, por krahasimisht, ky tërmet duket shumë i vogël”, tha Ozturk.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat