Jeta e banorëve në tokat e helmuara të Bjellorusisë

Evropë

Jeta e banorëve në tokat e helmuara të Bjellorusisë

Më: 2 nëntor 2020 Në ora: 21:00
Pamje nga video

Rajoni Gomel në pjesën jugore të Bjellorusisë, dikur pjesë e ish Bashkimit Sovjetik, pësoi goditjen më të madhe radiokative nga aksidenti i Çernobilit në vitin 1986.Materiali në vazhdim na njeh me banorët e atij rajoni që jetojnë në tokën e helmuar dhe varfërinë rurale.

Zëri i Amerikës u fut në atë që njihet si Rezerva Radioekologjike Shtetërore e zonës së Polesit në Bjellorusinë jugore. Ekspertët thonë se për shkak të radioaktivitetit të lartë, do të duhet shumë kohë që kjo zonë të bëhet përsëri e banueshme. Alexey Nesterenko drejton Institutin për Sigurinë nga Radioaktivitetin.

“Do të duhen edhe afro 300 vjet që ky territor të bëhet i banueshëm nga njeriu.”

Pa njerëz përreth, toka, ku koha ndaloi që pas aksidentit të Çernobilit në vitin 1986, është pushtuar nga kafshët e egra. Reaktori ndodhet pak kilometra në jug, në Ukrainën fqinje.

Më shumë se 22 mijë njerëz, banorë të këtyre fshatrave, u desh të braktisnin përgjithmonë tokat e tyre shekullore. Këto fshatra tani janë bërë muzeume të heshtuara të katastrofës.

Tre kilometra nga perimetri i zonës së ndaluar, jeta njerëzore ka filluar të rimarrë formë. Natalia është kthyer tek fshati i braktisur nga familja e saj në vitin 1986, pavarësisht dëbimit nga shteti.

“Jam lindur dhe shkolluar këtu në Krasnaya Gora. Pas radioaktivitetit u dërguam në një vend tjetër. U martova atje dhe jetova për ca kohë, por nuk më pëlqen dhe u ktheva. Kam 23 vjet që jetoj këtu.”

Në këtë zonë rurale, shumica e banorëve punojnë në ferma kolektive në pronësi të shtetit. Ata ankohen për paga të mjerueshme. Svetlana, nënë e katër fëmijëve, thotë se është e rraskapitur nga kushtet e punës.

“Paga është shumë e vogël. Nuk të mjafton të mbyllësh muajin. Puna është shumë e rëndë. Si zëvendës-mjelëse paguhem 320 rubla që i bie rreth 130 dollarë në muaj.”

Pagat e ulta nënkuptojnë që njerëzit duhet të rrisin drithëra dhe të mbajnë kafshë për të ushqyer veten. Ekspertët thonë se kjo është e rrezikshme pasi toka është e ndotur. Alexey Nesterenko drejton Institutin për Sigurinë nga Radioaktiviteti.

“Deri kur kjo zonë të zhvillohet mirë ekonomikisht dhe njerëzit të paguhen siç duhet dhe të kenë vende të mira pune, ata nuk do të jenë në gjendje të shkojnë në dyqane për të blerë.”

Por për banorët që nuk e shohin rezatimin si problem, zgjedhja është mes ushqyerjes ose jo.

“Po të mos kisha kopështin tim nuk do të kisha mbijetuar me rrogën që kam,” thotë Natalia.

“Ne mbijetojmë vetëm falë kopështit të zarzavateve,” thotë Svetlana.

Popullsia e pjesës jugore të Bjellorusisë ka ngecur mes tokës së helmuar dhe një ekonomie për egzistencë dhe në atë dilemë droja për urinë e tejkalon frikën nga efektet e dëmshme të radioaktivitetit./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat