Hungaria zgjedh vaksinën ruse

Evropë

Hungaria zgjedh vaksinën ruse

Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 14:10
Foto ilustrim

Hungaria bëhet vendi i parë i Bashkimit Europian që merr vaksinën ruse Sputnik V. Dozat e para do të mbërrijnë brenda dy javësh, duke i dhënë fitore e parë ndërkombëtare Moskës në tregun europain. Ndërkohë Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe grupi për vaksinat GAVI, njoftuan mbledhjen e mbi 2 miliardë dollarëve, për të blerë dhe shpërndarë vaksinën në vendet e varfra.

Hungaria njoftoi se do të marrë brenda një jave e gjysmë dozat e parë të vaksinës kundër Covid-19 të prodhuar nga Rusia, duke u bërë kështu vendi i parë i Bashkimit Europian që planifikon të prokurojë vaksinën Sputnik V.

Duke folur nga karantina nëpërmjet videokonferencës pasi është infektuar nga Covid-19, ministri i Jashtëm dhe i Tregtisë Peter Szijjarto, tha qeveria kishte përparuar në negociata me Moskën për të blerë një sasi më të madhe dozash. “Ky është një lajm i mirë për Hungarinë,” tha ministri.

Blerja nga Budapesti dhe hyrja e saj në tregun e përbashkët europian shënon një fitore të parë dhe simbolike për vaksinën ruse Sputnik V, e cila është kritikuar nga ekspertët për shkak të miratimit të shpejtë dhe informacionit të kufizuar publik.

Vaksina ruse nuk është përfshirë në portofolin e vaksinave të hartuar nga Komisioni Europian. Deri më tani ekzekutivi i BE-së ka nënshkruar kontrata me disa kompani për të siguruar mbi një miliardë doza vaksinash kandidate, përfshirë atë të prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech që rezultoi mbi 90 për qind efikase. Ndërkohë vaksina ruse ka rezultuar sipas Moskës, mbi 92 për qind efikase.

Megjithatë provat klinike për vaksinën ruse janë kryer tek një grup më i vogël njerëzish sasa për vaksinën e zhvilluar nga firma fillestare gjermane BioNTech dhe prodhuesi amerikan i medikamenteve Pfizer.

Në të tjera zhvillime, programi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe grupi për vaksinat GAVI, njoftuan se kanë mbledhur mbi 2 miliardë dollarë, të cilat do të përdoren për të blerë dhe shpërndarë vaksinën kundër koronavirusit në vendet e varfra.

Megjithatë, ata thonë se kjo shumë nuk është e mjaftueshme që të gjitha vendet e varfra të furnizohen me vaksinën kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Aleanca GAVI tha se këto para do t’i lejojnë programit COVAX të OBSH-së, që të blejë një miliard doza të vaksinës, për 92 shtete, të cilat nuk kanë mundësi që t’i blejnë vetë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat