Armenia dhe Azerbajxhani shkëmbejnë trupat e të vrarëve

Evropë

Armenia dhe Azerbajxhani shkëmbejnë trupat e të vrarëve

Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 15:38
Nagorno-Karabak

Armenia dhe Azerbajxhani të shtunën i shkëmbyen trupat e ushtarëve të vrarë, të cilët humbën jetën gjatë luftimeve afër qytetit Shusha në rajonin e Nagorno-Karabakut, njoftoi Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit.

Përmes një deklarate, kjo ministri tha se trupat e ushtarëve të rënë janë mbledhur me pjesëmarrjen e forcave paqeruajtëse ruse, të cilat janë vendosur në rajonin e kontestuar, shkruan Anadolu.

“Si pjesë e këtij veprimi humanitar, trupat e forcave të armatosura armene janë mbledhur dhe janë dorëzuar te pala armene. Gjithashtu, brenda kornizës së këtij veprimi, trupat e gjashtë pjesëtarëve të Ushtrisë së Azerbajxhanit, të cilët ranë dëshmorë gjatë betejave rreth qytetit Shusha, janë pranuar”, thuhet në deklaratë.

Autoritetet azere u shprehën mirënjohje Ministrisë së Mbrojtes së Rusisë dhe ministrit të kësaj ministrie, Sergei Shiogu, për organizimin e shkëmbimit të trupave mes dy palëve të konfliktit.

Më 10 nëntor, Armenia dhe Azerbajxhani, me ndërmjetësimin e Rusisë, nënshkruan marrëveshje armëpushimi me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse për konfliktin e gjatë.

Në Azerbajxhan, kjo marrëveshje është festuar si fitore, sepse forcat azere do t’i mbajnë nën kontroll territoret e fituara gjatë luftimeve që nisën më 27 shtator, ndërsa në Armeni ka pasur protesta për shkak të pakënaqësisë rreth kushteve të marrëveshjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat