Shtyhet gjyqi i ish-presidentit francez Sarkozy

Evropë

Shtyhet gjyqi i ish-presidentit francez Sarkozy

Më: 23 nëntor 2020 Në ora: 16:26
Nicolas Sarkozy

Ish presidenti francez Nicolas Sarkozy u paraqit të hënën për pak minuta në gjykatë për t'u përballur me akuzat për korrupsion, por gjyqtarët i pezulluan seancat deri më 26 nëntor për të vlerësuar shëndetin e njërit prej të pandehurve të tjerë.

Prokurorët e akuzojnë ish-presidentin se i kishte ofruar një punë të paguar mirë në Monako gjyqtarit Gilbert Azibert në këmbim të informacioneve konfidenciale rreth një hetimi për aludimet se zoti Sarkozy kishte pranuar pagesa të paligjshme nga Liliane Bettencourt trashëgimtare e firmës L'Oreal për fushatën e tij presidenciale të vitit 2007.

Një avokat i zotit Azibert kërkoi që gjyqi të pezullohej, sepse klienti i tij ishte në rrezik të lartë për t’u infektuar me COVID, për shkak të sëmundjes së zemrës.

Gjyqtarët urdhëruan një vlerësim të pavarur mjekësor deri të enjten, përpara se të vendosin nëse do ta vazhdojnë apo pezullojnë gjyqin.

Zoti Sarkozy, i cili ishte president nga viti 2007 deri në 2012 por ka ndikim mes konservatorëve, ka mohuar çdo shkelje në hetimet kundër tij dhe është përpjekur fuqimisht për pushimin e çështjeve gjyqësore.

Duke filluar nga viti 2013, hetuesit kanë përgjuar bisedat midis ish presidentit dhe avokatit të tij Thierry Herzog, për të hetuar aludimet.

Gjatë përgjimeve, ata mësuan se zoti Sarkozy dhe avokati i tij komunikonin duke përdorur celularë të regjistruar nën emra të rremë.

Sipas prokurorëve, nga përgjimet doli se zoti Sarkozy dhe avokati Herzog kishin diskutuar në shumë raste për të kontaktuar gjyqtarin Azibert, që shërbente në gjykatën e lartë të apelit dhe që ishte i mirinformuar për hetimin.

Herzog dhe Azibert janë që të dy në gjyq me ish presidentin Sarkozy, të akuzuar për korrupsion. Ata akuzohen gjithashtu për "shkelje të sekretit profesional". Të tre përballen me deri në 10 vjet burg dhe gjoba të rënda nëse dënohen.

Zoti Sarkozy dhe partia e tij e qendrës së djathtë Les Republicains kanë thënë prej vitesh se hetimet kundër tij janë të motivuara politikisht./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat