Von der Leyen: Vaksinimi i qytetarëve të parë të BE-së i mundur deri në Krishtlindje

Evropë

Von der Leyen: Vaksinimi i qytetarëve të parë të BE-së i mundur deri në Krishtlindje

Nga: B.S. Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 11:53
Ursula Von der Leyen

Qytetarët e parë të BE-së mund të vaksinohen kundër koronavirusit deri në Krishtlindje, tha sot kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, por paralajmëroi që vendet anëtare duhet të përgatisin urgjentisht zinxhirët e tyre të logjistikës për dhënien e qindra miliona dozave të vaksinave.

Duke iu drejtuar anëtarëve të Parlamentit Evropian, von der Lane tha se "drita më në fund është e dukshme në fund të tunelit" dhe shtoi se "qytetarët e parë të BE mund të vaksinohen para fundit të dhjetorit".

Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i BE-së, ka marrëveshje me gjashtë furnizues të mundshëm të vaksinave dhe po punon për një kontratë të shtatë. Sipas atyre kontratave, ai mund të sigurojë më shumë se 800 milion doza, që është më shumë se popullsia e përgjithshme, rreth 460 milionë.

Brukseli njoftoi dje se do të nënshkruajë një kontratë për rreth 160 milion doza të vaksinës eksperimentale të virusit korona me kompaninë amerikane Moderna, e cila deklaroi se vaksina e tyre, sipas të dhënave paraprake, është 94.5 përqind e efektshme.

Von der Leyen theksoi se ndërsa vaksinat janë të rëndësishme, ato që vlejnë janë vaksinimet.

"Shtetet anëtare duhet të përgatiten tani. Ne po flasim për miliona shiringa, po flasim për zinxhirë të ftohtë, për organizimin e qendrave të vaksinimit, për njerëz të trajnuar që do të jenë atje. E gjithë kjo duhet të përgatitet," paralajmëroi ajo.

Në të njëjtën kohë, ajo u bëri thirrje qytetarëve të BE-së të vazhdojnë të respektojnë kufizimet, edhe pse masat dëmtojnë biznesin, dëmtojnë më tej ekonomitë e prekura tashmë nga virusi korona dhe i vendosin njerëzit në vështirësi sociale dhe mendore.

"Me gati 3,000 vdekje në ditë, Covid-19 ishte shkaku i parë i vdekjes në BE javën e kaluar. Spitalet janë ende nën presion dhe në disa rajone, njësitë e kujdesit intensiv janë të mbingarkuara," tha ajo.

"Duhet të mësojmë nga vera dhe të mos përsërisim të njëjtat gabime. Një relaksim shumë i madh i masave krijon një rrezik për valën e tretë të infeksionit pas Krishtlindjes", tha von der Leyen, e cila shtoi se Krishtlindjet do të jenë të ndryshme dhe më të qeta këtë vit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat