Kufiri kroat, hapësirë dhune dhe shkeljeje sistematike të të drejtave të njeriut

Evropë

Kufiri kroat, hapësirë dhune dhe shkeljeje sistematike të të drejtave të njeriut

Më: 25 nëntor 2020 Në ora: 14:14
Kufiri kroat

Kufiri kroat është kthyer në hapësirë dhune dhe shkeljeje sistematike të të drejtave të njeriut. Avokatja e Popullit në Bashkimin Evropian ka njoftuar hetim mbi dështimin e pretenduar të Komisionit Evropian për të mbrojtur të drejtat e refugjatëve në kufirin e Kroacisë me Bosnje Hercegovinën.

Mediat gjermane “Der Spiegel” dhe DW raportojnë për dëbimet me forcë dhe dhunën që ushtrohet ndaj refugjatëve që kalojnë kufirin e gjelbër mes dy shteteve ballkanike. Por ministri i brendshëm kroat, Davor Bozhinoviç, i hedh poshtë akuzat si të pabaza, ndërsa sjelljen e policisë e konsideron si më shembulloren në Europë.

Ndërkaq, që prej vitit 2018 ka shumë dëshmi të refugjatëve dhe qindra fotografi që tregojnë shenja abuzimi, si dhe ekzaminime nga mjekët që konfirmojnë dhunën. Sjellja e policisë kroate është përfshirë edhe në raporte ndërkombëtare si Amnesty International apo Mjekë pa Kufij, ndërsa agjencia e OKB për refugjatët UNHCR flet për shtypjen brutale të refugjatëve.

Ndonëse kjo çështje është debatuar edhe në Parlamentin Europian, asgjë nuk ka ndryshuar.

Eurodeputeti i të Gjelbërve, Erik Marquardt, thotë për DW se kjo sjellje e Kroacisë vjen si pasojë e presionit nga vendet e tjera të BE-së. Sipas tij, duket se ka presion politik nga Komisioni i BE ose nga disa vende anëtare të BE për të mos iu përmbajtur të drejtave të njeriut në këtë rast.

Aktualisht në zonën kufitare boshnjake ka rreth 8.000-9.000 refugjatë, kryesisht nga Afganistani, Pakistani dhe Siria. Prania e tyre po kundërshtohet fort nga banorët vendas, të cilët akuzojnë për vjedhje dhe dhunë nga refugjatët.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat