Dhjetëra të arrestuar në Bjellorusi në marshet kundër Lukashenkos

Evropë

Dhjetëra të arrestuar në Bjellorusi në marshet kundër Lukashenkos

Më: 6 dhjetor 2020 Në ora: 17:05
Ilustrim

Forcat e sigurisë së Bjellorusisë kanë arrestuar dhjetëra persona në mbarë vendin, pas pothuajse katër muajve që kur kanë nisur protestat ku kërkohet largimi nga pushteti i Alyaksandr Lukashenkës.

Protestuesit u mblodhën në Minsk dhe në shumë qytete të tjera bjelloruse për të kundërshtuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të gushtit, të cilat sipas opozitës, u manipuluan.

Në zgjedhjet e 9 gushtit, Lukashenka tha se fitoi mandatin e gjashtë presidencial, por kandidatja opozitare Svyatlana Tsikhanouskaya besohet se ka qenë fituesja e zgjedhjeve dhe ajo ka bërë thirrje për dorëheqjen e Lukashenkës, lirimin e të gjithë të burgosurve politikë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Perëndimi ka refuzuar që ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe ka vendosur sanksione ndaj Lukashenkës dhe zyrtarëve kryesorë në Bjellorusi.

Deri në orën 16:30 sipas kohës lokale në Bjellorusi, organizata për të drejtat e njeriut Vyasna ka raportuar se mbi 70 persona janë arrestuar në Minsk dhe në qytete të tjera bjelloruse.

Policia është parë të ketë përdorur topa uji dhe mjete të tjera për të shpërndarë protestuesit.

Tsikhanouskaya, e cila është larguar për në Lituani pas zgjedhjeve, tha më 5 dhjetor se do të mbështesë “këdo që del në oborrin e tij, në qarkun apo qytetin e tij” për të protestuar.

“Çdo marsh është një përkujtim se bjellorusët nuk do të heqin dorë. Ne nuk do të lejojmë që të na merren të drejtat dhe të mbyllim sytë para krimeve”, tha ajo.

Një javë më parë, forcat e sigurisë përdorën gaz lotsjellës dhe granata tymuese kundër protestuesve në Minsk dhe arrestuan mbi 300 protestues në mbarë vendin, ka raportuar Vyasna. /rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat