Arkeologët zbulojnë një “bar-rostiçeri” në Pompei

Evropë

Arkeologët zbulojnë një “bar-rostiçeri” në Pompei

Më: 29 dhjetor 2020 Në ora: 08:52
Foto nga vendi i ngjarjes

Lokalet e tipit termopolium, ishin shumë të preferuar në botën romake. Vetëm në Pompei kishte të paktën 80 lokale të tilla.

Termopoliumi i zbuluar është një nga më të vjetrit në Pompei. "Me këtë zbulim mundësitë për të studiuar termopoliumet janë të jashtëzakonshme, sepse është hera e parë që një lokal i këtij lloji zbulohet në tërësinë e vet," tha një përfaqësues i Parkut Arkeologjik të Pompeut.

Image

Banaku i termopoliumit  ishte zbuluar pjesërisht në vitin 2019. Gjatë punës ekspertët gjetën gjithashtu mbetje dhe eshtra njerëzish dhe kafshësh, viktima të katastrofës vullkanike në Gjirin e Napolit rreth 2000 vjet më parë. Sipas gjetjeve fillestare mbetjet njerëzore janë ato të një 50-vjeçari, i cili në momentin e katastrofës ka qenë me siguri i shtrirë në një lloj shtrati. Mbetjet e tjera janë ende duke u hulumtuar.

Ushqime të ruajtura në banakë guri

Banaku i lyer me ngjyrë të verdhë është zbukuruar me piktura kafshësh, një pikturë që përshkruan një situatë nga jeta e përditshme dhe pikturën e një nereide, një nimfe deti, e cila kalëron mbi një kalë deti.

Image

Rosat dhe një gjel i pikturuar ishin ndoshta kafshë që thereshin dhe shiteshin në lokal. Në banak ka edhe disa vrima për të cilat studiuesit supozojnë se aty prezantohej ushqimi, që ofrohej për shitje.

Image

Pompei u shkatërrua prej shpërthimeve të Vezuvit në vitin 79 të Erës sonë. Qyteti historik i mbuluar nga hiri, balta dhe llava u rizbulua në shekullin e 18-të. Që atëherë dalin në dritë vazhdimisht gjetje të reja. Parku arkeologjik i Pompeit është një nga atraksionet më të njohura në Itali. Kohët e fundit arkeologët arritën të rikonstruktonin eshtrat e dy burrave, që ndoshta shpërthimi i vullkanit i kishte gjetur në befasi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat