Gjykata ruse pritet të vendosë për rastin e Navalnyt

Evropë

Gjykata ruse pritet të vendosë për rastin e Navalnyt

Më: 2 shkurt 2021 Në ora: 10:56
Aleksei Navalny

Në Moskë po mbahet një seancë gjyqësore kundër kritikut të Kremlinit, Aleksei Navalny.

Gjykata do të vendosë nëse do të shndërrojë dënimin me kusht të Navalnyt në kohë reale burgu. Kjo çështje është vlerësuar të jetë e motivuar politikisht.

Seanca dëgjimore po mbahet në kohën kur zemërimi ndërkombëtar për ndalimin e tij është në rritje dhe pasi dhjetëra-mijëra rusë protestuan në dy fundjavat e kaluara.

Këto ishin protestat më të mëdha kundër presidentit, Vladimir Putin, gjatë një dekade.

Aktivisti kundër korrupsionit, Aleksei Navalny ishte i pranishëm në gjykatë, ndryshe nga herët e tjera kur ai u shfaq përmes video-lidhjes nga një qendër paraburgimi.

Para se të fillonin procedurat, ai lavdëroi Julian, gruan e tij, e cila ishte e pranishme.

Një ditë më parë ajo ishte gjobitur për pjesëmarrje në një protestë kundër burgosjes së tij.

"Ata thanë që ti kishte shkelur rendin publik dhe ishe një vajzë e keqe. Jam krenar me ty", tha Navalny.

Pse u ndalua Navalny?

Kritiku i Kremlinit, Aleksei Navalny u arrestua më 17 janar, pasi arriti në Rusi nga Gjermania, ku ishte trajtuar për disa muaj, pas helmimit në gushtin e kaluar. Navalny thotë se pas këtij helmimi qëndron presidenti rus, Vladimir Putin. Këto akuza janë hedhur poshtë nga Kremlini.

Një gjykatë në Rusi i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Prokurorët thonë se Navalny shkeli kushtet e pezullimit të një dënimi më 2014 që kishte të bënte me keqpërdorim fondesh.

Nëse Navalny gjendet fajtor se ka shkelur rregullat e lirimit nga burgu, ai mund të dënohet deri me tre vjet burgim.

Protestat për lirimin e tij

Në dy fundjavat e kaluara policia ruse arrestoi rreth 10.000 njerëz në shumë qytete të cilët protestuan kundër ndalimit të Navalnyt.

Shumë bashkëpunëtorë të ngushtë të Navalny dhe gruaja e tij, Julia, janë arrestuar ose mbajtur në arrest shtëpiak.

Aleatët e kritikut të Kremlinit u kanë bërë thirrje mbështetësve të tij që të mblidhen në Gjykatën e Qytetit të Moskës gjatë kohës kur po mbahet seanca dëgjimore. Policia e kryeqytetit tha se rrugët në zonë do të mbyllen. Para fillimit të seancës policia u rreshtua para rrugëve përreth kompleksit të gjykatës.

Reagime ndërkombëtare

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre evropianë kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të Navalnyt dhe përfundimin e dhunës policore kundër protestuesve.

Në një intervistë televizive të transmetuar më 1 Shkurt, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se ai ishte "thellësisht i shqetësuar nga shtypja e dhunshme" dhe se administrata amerikane po konsideronte një përgjigje ndaj ndalimit të Navalnyt.

Blinken nuk përmendi sanksione specifike kundër Moskës.

Zyrtarët e BE kanë thënë se ata janë duke pritur rezultatet e seancës dëgjimore ndaj Navalnyt në mënyrë që të përgjigen me masa - përfshirë sanksione më gjithëpërfshirëse ndaj Moskës.

Shefi i politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell do të qëndrojë në Moskë nga 4 deri më 6 shkurt për t'u takuar me zyrtarët e lartë rusë dhe shoqërinë civile./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat