Frika e Erdoganit nga Gjenerata Z

Evropë

Frika e Erdoganit nga Gjenerata Z

Nga: Sherif Ramabaja Më: 9 shkurt 2021 Në ora: 09:56
Demonstratë përpara portës hyrëse të Universitetit të Bosforit në Stamboll kundër rektorit të ri.

Para se gjithash akademikë të rinj, po dalin përsëri rrugëve të Turqisë. Erdogani përdor dhunën sepse i trembet një kryengritje të re si ajo e mëpashmja në Gezi Park. Gjenerata Z në të vërtetë këtë herë mund t'i kushtojë atij me humbjen e pushtetit, thotë Banu Güven.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan ka frikë për pushtetin e tij, prandaj ai po bëhet gjithnjë e më brutal. Rezistenca në Universitetin e Bosforit (Bogaziçi Üniversitesi), fokusi i protestave të fundit kundër qasjes së tij totalitare, e bën atë kaq të shqetësuar.

Në vitet 1990 studiova në këtë universitet anglishtfolës në pjesën evropiane të Stambollit dhe u lejova të punoja si asistente e rektorit të atëhershëm Prof Dr. Üstün Ergüder.

Një bastion i Turqisë liberale

Universiteti është një nga bastionet e fundit të traditës demokratike dhe liberale të Turqisë . Aty mishërohen të gjitha elementet që Erdogani dëshiron të shkatërrojë në Turqinë e tij të re: një fakultet elastik akademik dhe studentë që mendojnë në mënyrë kritike, të cilët nuk durojnë asgjë. Liberalë, të lirë, feministë, aktivistë LGBT +, kurdë, të majtë, ateistë dhe - më e keqja për Erdoğanin - studentë fetarë që nuk kanë frikë nga askush përveç zotit.

Afër Bosforit, në kampusin më të bukur në vend, ata të gjithë mësojnë  paqësisht krah për krah dhe i rezistojnë arbitraritetit të presidentit: Ata refuzojnë rektorin e ri Melih Bulu, të emëruar nga Erdogani.

 Ai është një plagjiator dhe për këtë arsye plotësisht i papërshtatshëm për të drejtuar një nga universitetet më të mira në Turqi. Gjithashtu, që atëherë është bërë e ditur se ai dikur ishte anëtar i përkushtuar i partisë AKP të Erdoganit dhe se ai madje donte të kandidonte si një kandidat për kryetar bashkie në 2009. Me emërimin e tij, Erdoğan dëshiron të fitojë ndikim në universitetin elitar. Por nuk është aq e lehtë.

Studentët dhe mësuesit kanë protestuar për çdo orë të drekës në mjediset e universitetit për javë të tëra, duke qëndruar me shpinë te ndërtesa e rektoratit, ku qëndron rektori aktualisht më i vetmuar në botë.

Qindra arrestime

Ajo që shqetëson Erdoganin është mbi të gjitha rezistenca e studentëve. Përmes tubimeve të tyre krijuese, videove që ata postojnë në rrjetet sociale, tërheqin vëmendje të gjerë në shoqëri. Studentë nga universitete të tjera solidarizohen me ta. Për të parandaluar këtë solidaritet në rritje, presidenti mbështetet në dhunën e policisë: Qindra demonstrues janë arrestuar përkohësisht, katër studentë kanë qenë në paraburgim për një kohë të gjatë.

Erdogan dhe partneri i tij i koalicionit, kryetari i nacionalist MHP, Devlet Bahçeli, shpifin kundër studentëve çdo ditë, duke i quajtur ata "terroristë". Në mënyrë që t'i degradojnë më tej në sytë e shoqërisë , ata gjithashtu luajnë në kartën e homofobisë. Erdoğan pretendon se gjithçka që fshihet pas shkurtesës LGBT + as nuk ekziston. Dhe Ministri i tij i Brendshëm Süleyman Soylu thjesht e quan lëvizjen LGBT + "anormale".

I frikësuar nga votuesit e rinj

Erdogan përdor dhunë, sepse i trembet një kryengritjeje të re si në Gezi Park. Ai përpiqet të delegjitimojë studentët sepse ka frikë se ai do të humbas pushtetin në zgjedhjet e ardhshme. Dhe me të drejtë: në zgjedhjet e ardhshme në 2023, më shumë se pesë milion njerëz do të kenë të drejtë të votojnë për herë të parë. Kjo është pak më shumë se dymbëdhjetë përqind e votuesve. Një numër i konsiderueshëm i këtyre votuesve të rinj nuk do të votojnë për të. Të rinjtë ia bënë të qartë këtë në transmetimin e tij të drejtpërdrejtë në YouTube vitin e kaluar, me dhjetëra mijëra mospëlqime dhe komente.

Sondazhe të ndryshme konfirmojnë neveritjen e Gjeneratës Z ndaj Erdoganit dhe idealeve të tij. Sipas një sondazhi nga instituti "Gezici Araştırma Merkezi" 2020, 76.4 përqind e të anketuarve e konsiderojnë shtetin e së drejtës dhe demokracinë si një përparësi absolute. Ky është një lajm i keq për Erdoganin, i cili përpiqet për një popull të devotshëm për qëllimet e tij: vetëm 15.7 përqind e Gjeneratës Z luten rregullisht. Gjithashtu jo në kuptimin e Erdoganit: Sipas sondazhit të fundit të MetroPoll, 55 përqind e votuesve të AKP janë pro një procesi demokratik zgjedhor në universitete, në vend të emërimit të rektorëve nga presidenti.

Sa pritet të jetë brutal sundimi i Erdoganit?

Rektori Bulu thotë se nuk do të paraqes dorëheqjen. Por ai nuk mund ta bëjë atë gjithsesi, për sa kohë që zoti i tij Erdogan, nuk e lejon atë. Bulu shpreson që protestat do të qetësohen një ditë.

Erdoğan do të përdorë aparatin e tij të dhunshëm policor, për të parandaluar një kryengritje të dytë si në Gezi Park. Por ajo që ai nuk mund të ndryshojë përmes dhunës policore janë, vullneti dhe mendimet e brezit të ri. Sa më shumë që ai përdor dhunë, aq më shpejt do të vijë fundi i pushtetit të tij. Pyetja kryesore është, çfarë brutaliteti mund të marrë qasja e tij në vitet e ardhshme.

Gazetarja dhe moderatorja televizive turke Banu Güven shkruan për media të ndryshme gjermane dhe turke. Ajo jeton dhe punon që nga viti 2018 në Gjermani./ Nga gjermanishtja: Sherif Ramabaja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat