BE synon krijimin e një certifikate globale të vaksinës COVID-19

Evropë

BE synon krijimin e një certifikate globale të vaksinës COVID-19

Më: 24 shkurt 2021 Në ora: 13:42
Foto ilustruese

Zëvendëskryetari i Komisionit Europian, i ngarkuar për unionin e energjisë, Marosh Shefçoviç, bëri të ditur se Komisioni Europian është duke përgatitur një certifikatë digjitale të vaksinës së koronavirusit të ri (COVID-19) që pritet të njihet globalisht nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Duke folur në një konferencë për media pas takimit virtual të ministrave të çështjeve europiane, Shefçoviç konfirmoi se organi ekzekutiv i Bashkimit Europian (BE) është duke punuar për certifikatën elektronike të vaksinës kundër COVID-19.

“Është e rëndësishme për ne të kemi një sistem që është i pajtueshëm brenda vendeve anëtare të BE-së dhe po bëjmë presion për një pajtueshmëri globale në regjistra elektronik të vaksinimit, mundësisht nën kujdesin e OBSH-së”, theksoi Shefçoviç, i cili po ashtu është komisioner i BE-së për marrëdhëniet ndërinstitucionale dhe për parashikimin, raporton ATSh.

Megjithatë, shtoi ai, certifikatat e vaksinës së pari duhet të përdoren për qëllime mjekësore.

Sipas tij, pasi sistemi i regjistrimit të vaksinimit të jetë funksional dhe Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) të japë këshillat e saj shkencore, mund të vendosim për përdorime të tjera të regjistrave elektronikë të vaksinimit në lidhje me udhëtimet midis vendeve të BE-së dhe jashtë bllokut.

Krerët e vendeve dhe qeverive të BE-së pritet të diskutojnë idenë e pasaportave të udhëtimit gjatë samitit të tyre virtual që do të mbahet nesër.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, në muajin janar propozoi certifikatën e vaksinimit COVID-19 për udhëtime në të gjithë BE-në në përpjekje për të shpëtuar sezonin e ardhshëm turistik.

Deri në fund të muajit shtator blloku synon të vaksinojë 70% të popullsisë së rritur.

Shefçoviç njoftoi se deri më tani janë administruar 40,7 milionë vaksina COVID-19 dhe 300 milionë doza të tjera do të shpërndahen në tremujorin e dytë të vitit.

BE ka nënshkruar marrëveshje me gjashtë kompani bioteknologjike, respektivisht me Pfizer-BioNTech, Moderna, AstraZeneca, CureVac, Johnson&Johnson dhe Sanofi/GlaxoSmithKline, për blerjen e rreth 2.6 miliardë dozave të vaksinës COVID-19.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat