Paris/ Emigrantët në protestë

Evropë

Paris/ Emigrantët në protestë

Më: 26 mars 2021 Në ora: 23:22
Paris

Policia franceze evakuoi të enjten një kamp të improvizuar emigrantësh në qendër të Parisit.

Mbi 300 emigrantë të mbështetur nga shoqatat pro tyre, ngritën dhjetëra tenda në sheshin simbol, “Plas-dë-la-Republikë”, për të protestuar për kushtet e jetesës dhe braktisjen e azilkërkuesve nga ana e autoriteteve.

Në protestën me rastin e “Natës së Solidaritetit” morën pjesë më së shumti të ardhur të paligjshëm nga Afganistani dhe Afrika.

“Nuk kemi çati mbi kokë. Kemi një fëmijë që nuk shkon në shkollë, kemi problem me ushqimin dhe gjendemi në rrugë,” tha Fatoumata Traoré që ndodhet ilegalisht në Francë.

“Nuk është e lehtë për nënat e reja, të vetme dhe me fëmijë, siç është rasti im. Përpiqemi të integrohemi me shoqërinë por e gjejmë veten në rrugë, rrezikojmë përdhunimin, shumë gjëra, dhe sonte shpresojmë që kjo të ndryshojë,” tha Sandrine Digu që ndodhet ilegalisht në Francë.

Por protesta e emigrantëve zgjati pak orë, pasi policia ndërhyri në orët e mbrëmjes duke i hequr me forcë tendat dhe personat e pranishëm.

Autoritetet franceze thonë se kanë hapësira të nevojshme për strehimin e refugjatëve.

Policia gjithashtu i kritikoi organizatorët e protestës për nisma të papërgjegjshme në kohë pandemie, dhe në shkelje të orarit policor.

Në 2020-ën Franca ishte një nga tri vendet që priti më shumë aplikime për azil nga të huajt, krahas Gjermanisë dhe Spanjës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat