Mësimi online në vështirësi, nisma në Itali për të ndihmuar shkollat me kompjuterë për familjet në nevojë

Evropë

Mësimi online në vështirësi, nisma në Itali për të ndihmuar shkollat me kompjuterë për familjet në nevojë

Më: 1 prill 2021 Në ora: 17:28
Foto ilustrim

Mospasja e një kompjuteri është problemi kryesor kur të duhet të mësosh në shtëpi.

Italia është një nga vendet e pakta në Evropë ku mbyllja e shkollave për shkak të pandemisë ka vijuar për një kohë të gjatë.

E në kushte të tilla fondet publike nuk kanë arritur të mbulojnë mjaftueshëm nevojën për kompjuterë për nxënësit e studentët italianë.

“Digjital dhe i Barabartë” është fushata e re kombëtare e nisur nga disa media dhe organizata bamirëse për të ndihmuar shkollat të blejnë kompjuterë personal për familjet në nevojë.

“Fushata rezultoi e suksesshme. Kjo është një shenjë e mirë. Mbi 1400 shkolla janë furnizuar në vetëm 10 ditë. Është shumë domethënëse, tregon se ekziston nevoja për kompjuterë veçanërisht për ata që janë më të rinj. Në një vend si Italia, e cila ka qenë ndër shtetet më të prekura nga pandemia, fakti se qytetarët kanë dhuruar 10,15 apo 50 euro për të lejuar që këta të rinj të mësojnë nga shtëpia dëshmon se disa vlera shoqërore janë thellësisht në rrënjosura në vend”, u shpreh Maurizio Molinari, kryeredaktor i “La Repubblica”.

Kjo shkollë që vizituam në Romë përmes kësaj nisme të përbashkët ka kërkuar 10 kompjuterë personal.

“Gjatë urgjencës ne kemi parë studentë që po zhdukeshin ndërsa vijonte mësimi në distancë pasi ata kishin probleme në lidhjen dhe ndjekjen e mësimeve. Në disa raste kur familjet me më shumë se një fëmijë mund të mbështeten vetëm në një kompjuter portativ, pajisja e vetme po përdoret nga një prej prindërve që punojnë nga shtëpia”, tha Tullia Aurelio.

Kur shkollat nuk mund të ofrojnë ndihmë – familjet u drejtohen organizatave lokale për ndihmë.

Shërbimi ‘Informatikë pa kufij’ rregullon kompjuterët personalë të dorës së dytë që u ofrohen familjeve në nevojë.

Riccardo na tregon se djali i tij 10-vjeçar ka ndjekur mësimin nga shtëpia duke përdorur një smartphone.

“Përdorimi i telefonit të gruas sime ose telefoni im do të thoshte që sa herë që merrnim telefonata, lidhja ndërpritet. Djali im duhej të ndalonte mësimin çdo herë dhe pastaj të rilidhej përsëri. Ishte shumë e vështirë”, tha Riccardo Molinetti.

Sot, më shumë se kurrë hendeku dixhital është një çështje në të gjithë Evropën dhe bërja e ekonomive më dixhitale është një nga shtyllat kryesore të fondit të rimëkëmbjes së BE-së.

“Qeveria e Draghi njoftoi se brenda vitit 2026 të gjithë do të marrin lidhjen wifi , është një pritje mjaft e gjatë. Mendoj se duhet të realizohet gjithnjë e më shpejt pasi kjo ka të bëjë me qarkullimin e përmbajtjes intelektuale. Kjo do të thotë t’i bësh kompanitë tona më konkurruese në një nivel ndërkombëtar”, u shpreh Maurizio Molinari, kryeredaktor i “La Repubblica”.

Pavarësisht se sa kohë duhet të kalojë, pandemia po e detyron Italinë të punojë dhe të mësojë duke u bërë më digjitale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat