Një ligj i ri në Francë kthen pasuritë e konfiskuara tek vendet e origjinës

Evropë

Një ligj i ri në Francë kthen pasuritë e konfiskuara tek vendet e origjinës

Më: 4 prill 2021 Në ora: 19:58
Foto ilustrim

Franca së shpejti mund t’u bashkohet disa vendeve të tjera që kanë miratuar ligje që synojnë kthimin e parave dhe pasurive të vjedhura, në vendet e origjinës. Por vëzhguesit kundër korrupsionit thonë se projektligji, i miratuar kohët e fundit në Asamblenë Kombëtare të Francës, ka nevojë për ndryshime për të siguruar që pasuritë të mos kthehen tek udhëheqësit e korruptuar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Lisa Bryant njofton nga Parisi.

Dikur dukej se asgjë nuk do të mund ta ndalte Teodorín Obiang-un. Djali i presidentit të Guinesë Ekuatoriale, Teodoro Obiang Nguema, ka jetuar për shumë kohë një jetë luksoze - financuar, thonë kritikët, nga vendi i tij i pasur me naftë, ku shumica e njerëzve jetojnë në varfëri.

Por drejtësia po troket deri tek Obiang-u. Ai është përballur me vendime lgjyqësore në Shtetet e Bashkuara dhe Zvicër, që e kanë detyruar të heqë dorë nga miliona dollarë pasuri.

Vitin e kaluar, një gjykatë e Parisit e dënoi atë me tre vjet me kusht dhe me një gjobë prej miliona dollarësh nën akuzat e plaçkitjes së pasurisë së vendit të tij për të financuar stilin luksoz të jetës së tij. Autoritetet franceze konfiskuan këtë vilë në kryeqytet dhe mallra të tjerë luksoze.

Guinea Ekuatoriale po e apelon çështjen në gjykatat franceze. Nëse humbet përsëri, prona - e vlerësuar në më shumë se 100 milionë dollarë - normalisht do të shkonte në thesarin francez.

Por një projektligj i sapo miratuar në Asamblenë Kombëtare të Francës mund t’i kthejë pasuritë tek komunitetet e varfra në Guinea Ekuatoriale.

"Është me të vërtetë e rëndësishme t'u tregojmë qytetarëve tanë dhe qytetarëve të botës në këto vende - në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine - se Franca dhe vendet e tjera nuk do të lejojnë që diktatorët ose djemtë e diktatorëve të përvetësojnë para që nuk janë të tyre. Franca do t'i ndjekë penalisht dhe paratë e tyre do t’ua rikthejë ven deve dhe do t'i përdorë për zhvillimin e tyre”, thotë Herve Berville, anëtar i Asamblesë Kombëtare.

Projektligji ende duhet të miratohet nga Senati francez. Grupet e luftës kundër korrupsionit e vlerësojnë masën, por argumentojnë se gjuha duhet të ndryshohet për t’u siguruar që pasuritë të mos përfundojnë përsëri në duart e udhëheqësve të korruptuar.

"Në thelb ligji thotë se pasuritë e konfiskuara duhet të kthehen sa më pranë popullatës nga e cila janë marrë. Ne besojmë se ky formulim nuk është i saktë sa duhet…fjalët përgjegjshmëri dhe transparencë – janë ato që mungojnë në ligj”, thotë Chanez Mensous, me grupin Sherpa kundër korrupsionit.

Gjyqi i Obiang-ut filloi me procedurat ligjore të paraqitura nga Sherpa dhe organizata Transparency International që vuri në shënjestër gjithashtu udhëheqësit e Gabonit dhe Republikës së Kongos.

Disa banorë nga Guinea Ekuatoriale po i ndjekin nga afër ngjarjet.

“Kjo është një familje që për 40 vjet e ka qeverisur vendin sikur të ishte prona e tyre private, pa asnjë përgjegjësi. Pra, fakti që francezët shkuan deri aty sa e çuan këtë çështje në gjykatën kushtetuese tregon shumë ", thotë Tutu Alicante, aktivist i të drejtave të njeriut.

Ai shpreson se një dënim përfundimtar i gjykatës franceze për Obiang-un - dhe një ligj i ri për pasuritë e përvetësuara në mënyrë të padrejtë - do të paralajmërojnë udhëheqës të tjerë të korruptuar nga vendet e varfra, se mund ta paguajnë shtrenjtë nëse vjedhin nga populli i tyre./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat