BE: Vetëm një zgjidhje politike mund t’i japë fund konfliktit izraelito-palestinez

Evropë

BE: Vetëm një zgjidhje politike mund t’i japë fund konfliktit izraelito-palestinez

Më: 21 maj 2021 Në ora: 18:57
Foto ilustrim

Bashkimi Europian (BE), duke deklaruar se është i kënaqur me armëpushimin mes Hamas-it dhe Izraelit, theksoi se konflikti izraelito-palestinez mund të përfundojë vetëm me një zgjidhje politike.

Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, u ka kërkuar palëve të forcojnë armëpushimin dhe të sigurojnë stabilitet afatgjatë.

“Vetëm një zgjidhje politike mund t’i sjellë paqe dhe siguri kujtdo”, theksoi Von der Leyen në mesazhin e saj në mediat sociale.

Në deklaratën e tij mbi armëpushimin, Josep Borrell, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, deklaroi se ai e mirëpriti marrëveshjen për t’i dhënë fund dhunës në Gaza dhe vlerësoi përpjekjet e Egjiptit, Katarit, OKB-së dhe SHBA-së për armëpushimin, raporton ATSh.

“BE ka përsëritur gjithmonë se situata në Rripin e Gazës nuk është e qëndrueshme. Vetëm zgjidhja politike do t’i japë fund problemit Palestinë-Izrael dhe do të sjellë paqe të qëndrueshme”, theksoi Borrel.

“BE është e gatshme të mbështesë autoritetet izraelite dhe palestineze në këto përpjekje. Për këtë qëllim, ajo do të rinovojë kontaktet me partnerët kryesorë ndërkombëtarë, duke përfshirë SHBA-në dhe Kuartetin e Lindjes së Mesme të ringjallur dhe partnerë të tjerë në rajon”, shtoi ai.

Të paktën 233 palestinezë janë vrarë, përfshirë 65 fëmijë dhe 39 gra, kurse më shumë se 1 700 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 10 maji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat