Sindikatat greke protestojnë ndaj projektligjit të ri: Jemi kundër heqjes së 8 orarëshit dhe uljes së pagesës të orëve jashtë orarit

Evropë

Sindikatat greke protestojnë ndaj projektligjit të ri: Jemi kundër heqjes së 8 orarëshit dhe uljes së pagesës të orëve jashtë orarit

Më: 10 qershor 2021 Në ora: 09:36
Foto ilustrim

Me anë të një greve të përgjithshme 24 orëshe që ka filluar prej mëngjesit të sotëm, sindikatat greke i japin një përgjigje dinamike qeverisë që me projektligjin e ri që ka sjellë në parlament, kërkon të ndryshojë rrënjësisht marrëdhëniet e punësimit.

Sindikatat protestojnë: “Kundër heqjes së 8 orarëshit dhe kontratave kolektive, kundër liberalizimit të pushimeve masive nga puna, uljes së pagesës së orëve jashtë orarit, heqjes të së dielës si ditë pushimi apo të drejtës së punëtorëve për të organizuar greva. Sipas sindikalistëve, projektligji i ri shpërbën legjislacionin e punës dhe legalizon arbitraritetin e punëdhënësve.”

Duke organizuar tubime të ndryshme në Athinë dhe qytetet e mëdha të vendit, bashkë me Konfederatën e nëpunësve shtetërore ADEDY dhe Sindikatën e punonjësve të sektorit GSEE janë bashkuar kundër projektligjit të ri të karakterizuar si “xhungla e punësimit”, federatat e sektorit të shëndetësisë, punëtorë të sektoreve të ndryshme, të papunë, të rinj e të reja.

“Projekt-ligji anti-punëtor dhe anti-popullor i qeverisë Mitsotakis legjitimon xhunglën e marrëdhënieve të punës që ekziston në sektorin privat këto vite me 10 orë, 14 orë në ditë apo edhe 4 orë pune, me qëllimin e vetëm të fitimeve shtesë për bizneset. 30 vjet pas shpërthimit të paparë të teknologjisë, e cila ka zëvendësuar mijëra vende pune , në vend që të ulim orët e punës dhe të rrisim pagat,  kemi rritje të orëve të punës dhe ulje të pagave”, nënvizon ADEDY në deklaratën e saj.

“Nëse zbatohet, projektligji i ri , do të shkaktonte një goditje në tregun e punës, në autonominë kolektive, por edhe në shoqëri  dhe zhvillimi i ekonomisë me punëtorë të varfër nuk është i mundur”, thekson nga ana e saj GSEE.

Përveç tubimeve të ndryshme prej orës 10 dhe 11 të mëngjesit, do të ndërpresin krejtësisht punën, gjithë administrata shtetërore, sektori bankar, nëpunësit e metrosë së Athinës, të trenave  dhe të tramvajeve, ata të Shërbimit urban punojnë me orar te kufizuar, ndryshojnë disa prej orareve të fluturimeve.

Gjithashtu megjithëse gjykata e ka konsideruar grevën e tyre të paligjshme për herë të dytë brenda një javë, gjithë marinarët e 13 sindikatave të lundrimit ndërpresin punën dhe anijet do të jenë të ankoruara në porte.

Ndërkohë që  të gjitha mediat greke, shtetërore dhe private  do të heshtin për 24 orë.  Partia më e madhe opozitare Syriza ka theksuar në debatet e ashpra ne parlament ditët e fundit se nuk do të lejojë kthimin e shoqërisë në shekullin e 19 dhe se nëse ky projektligj tani do të aprovohet, kur ajo të vijë në pushtet do të jetë ligji i parë që do të ndryshojë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat