BE-ja ka dhuruar më pak se 4 milionë vaksina kundër COVID-19

Evropë

BE-ja ka dhuruar më pak se 4 milionë vaksina kundër COVID-19

Më: 22 korrik 2021 Në ora: 19:11
Foto ilustrim

Shtetet e Bashkimit Evropian (BE) deri më tani kanë dhuruar vetëm një pjesë të vogël të vaksinave kundër COVID-19 të planifikuara për vendet e varfra. Shumica e donacioneve janë vaksina AstraZeneca.

Një dokument i BE-së tregon se deri më tani janë dhuruar më pak se 3 për qind nga 160 milionë doza të planifikuara të dhurohen për të ndihmuar në zbutjen e pandemisë globale.

BE-ja është e vendosur që të ndihmojë në vaksinimin e personave më të ndjeshëm nëpër botë, por ngjashëm me shtetet e tjera të pasura, shtetet e BE-së deri më tani janë fokusuar në blerjen e vaksinave për imunizimin e qytetarëve të vet, duke kontribuar kështu në mungesë të vaksinave në vende të tjera.

Shtetet e BE-së me një popullsi të kombinuar prej afër 365 milionë njerëz, deri më tani kanë pranuar rreth 500 milionë doza nga prodhuesit dhe presin afërsisht një miliard doza deri në fund të shtatorit.

Por, deri më 13 korrik, këto shtete kanë dhuruar më pak se 4 milionë doza, thuhet në dokumentin e brendshëm të përpiluar nga Komisioni Evropian, të siguruar nga agjencia Reuters.

Në total, thuhet se shtetet e BE-së kanë vendosur të ndajnë rreth 160 milionë doza, në përgjithësi pa preferenca për destinacionin e tyre. Numri i dërgesave dhe totali i premtuar nuk është raportuar më herët.

Brukseli më herët kishte thënë se shtetet e BE-së planifikojnë të dhurojnë së paku 100 milionë doza deri në fund të vitit. Ndërkaq, nuk është përmendur afat për tragetinë e listuar në dokument.

Në një deklaratë, të enjten, Komisioni Evropian tha se shtetet anëtare ishin në rrugë të mirë për të kaluar synimin fillestar me 200 milionë doza për shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme këtë vit. Në deklaratë nuk u përmend sa doza deri më tani janë dërguar.

Sipas dokumentit, dozat e shpërndara deri më tani kanë shkuar në përgjithësi të shtetet dhe territoret me një lidhje me donatorin, derisa shtetet po synojnë të përmirësojnë marrëdhëniet me shtetet fqinje dhe të forcojnë lidhjet diplomatike.

Një zëdhënës i Komisionit Evropian nuk pranoi të komentojë dokumentin dhe donacionit pasi këto vendime janë marrë nga qeveritë e shteteve anëtare.

Numri i vogël i dërgesave mund të nxisë debat lidhur me atë se si shtetet e pasura po i shpërndajnë vaksinat tepricë, derisa shtetet e varfra ende luftojnë për pajisje me këto doza.

Organizata Botërore e Shëndetësisë i ka bërë thirrje qeverive të Perëndimit që të dhurojnë vaksina programit COVAX për të siguruar shpërndarje të drejtë dhe të barabartë për nevojtarët nëpër botë.

BE-ja tha të enjten se shumica e 200 milionë dozave do të shpërndahej përmes programit.

Shumë shtete të varfra mbështeten te COVAX-i për vaksinat e tyre, por deri më tani ky program ka shpërndarë vetëm 135 milionë doza nëpër bota dhe varet në shumicë nga vaksinat e dhuruara.

Planet për të blerë vaksina nga ky program janë shtyrë përkohësisht për shkak të problemeve të prodhuesve të vaksinave për prodhim dhe kufizimet e eksportit në Indi.

Bashkimi Evropian ka pranuar vaksina të mjaftueshme për të imunizuar plotësisht 70 për qind të të rriturve, derisa Afrika e Jugut i ka dhënë vetëm 7 për qind të popullatës së rritur një dozë të vaksinës. Nigeria, ndërkohë ka dhënë dozën e parë të vaksinës për 1 për qind të popullatës së rritur.

Dërgesat e BE-së janë po ashtu të vogla krahasuar me 15 milionë doza të dhuruara nga Uashingtoni dhe të dërguara në muajt e kaluara në shtetet e Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine, si pjesë e premtimit të SHBA-së për dhurimin e 80 milionë vaksinave. Një pjesë e madhe e këtyre donacioneve kanë shkuar përmes COVAX-it.

Pothuajse të gjitha dozat e dhuruara janë AstraZeneca

Qeveritë e BE-së janë nxitur në vazhdimësi nga Komisioni Evropian që të shpeshtojnë donacionet dhe të ndajnë doza nga të gjitha llojet e vaksinave që i pranojnë, thonë zyrtarët e BE-së.

Por, shtetet e BE-së deri më tani kanë premtuar që të dhurojnë thuajse ekskluzivisht vaksina AstraZeneca, sipas dokumentit.

Vaksina Johnson&Johnson është zgjedhja e dytë më e shpeshtë për donacione, edhe pse një pjesë e madhe e premtimeve janë për vaksina pa e specifikuar llojin.

Shumë shtete të BE-së kanë vendosur kufizime në përdorimin e vaksinës AstraZeneca si dhe vaksinës Johnson&Johnson për shkak të shqetësimeve për mpiksje të gjakut që janë ekstremist të rralla.

Zëdhënësi i KE-së tha se të gjitha vaksinat e përdorura në BE janë të sigurta dhe mund të dhurohen.

Gjermania, shteti më i madh në BE ka vendosur të dhurojë 33 milionë doza, sipas dokumentit. Tridhjetë milionë prej këtyre dozave janë AstraZeneca dhe Johnson&Johnson, ndërsa 3 milionë të tjera nuk janë specifikuar ende.

Zyrtarë gjermanë kanë thënë se donacionet do të nisin në gusht dhe kanë konfirmuar numrat dhe llojet e vaksinave që do të dhurohen.

Franca është shteti i BE-së me numrin më të madh të premtimeve për donacione. Ky shtet ka premtuar 60 milionë doza, përgjithësisht për COVAX-in dhe në masë të madhe pa ndonjë preferencë për destinacionin e tyre.

Megjithatë, deri më tani ka dërguar vetëm rreth 800 mijë doza, gjysma e të cilave shkuan te kolonitë e mëparshme, Senegal, Mauritania dhe Burkina Faso, sipas dokumentit.

Dokumenti nuk ka specifikuar se çfarë vaksina ka dhuruar Franca dhe çfarë lloji pritet të dhurojë.

Një zyrtar në Ministrinë e Financave në Francë tha se afërsisht 5 milionë vaksina AstraZeneca janë dhuruar deri më tani përmes COVAX-it, ndërsa vaksinat Johnson&Johnson dhe Pfizer do të dhurohen deri në fund të verës./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat