Opozita ruse shton ankesat në ditën e fundit të zgjedhjeve në Rusi

Evropë

Opozita ruse shton ankesat në ditën e fundit të zgjedhjeve në Rusi

Më: 19 shtator 2021 Në ora: 16:44
Foto ilustrim

Aktivistët opozitarë rusë kanë shtuar ankesat se janë duke u heshtur në platformat digjitale, në ditën e fundit të zgjedhjeve parlamentare në Rusi.

Në tri ditë sa janë mbajtur zgjedhjet, ka pasur raportime për një mori parregullsish, duke përfshirë mbushjen e kutive me vota dhe votim të detyrueshëm.

Komisioni zgjedhor ka hedhur poshtë këto ankesa, duke thënë se janë pjesë e fushatave të financuara mirë nga jashtë.

Partia e presidentit rus, Vladimir Putin, Rusia e Bashkuar, pritet të mposhtë me lehtësi 13 parti tjera që po marrin pjesë në procesin zgjedhor.

Qendrat e votimit për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale janë hapur të premten dhe do të mbyllen të dielën në orën 20:00, sipas orës lokale.

Votuesit janë duke zgjedhur 450 ligjvënës për parlament në Moskë, dhe një numër i qyteteve kanë prezantuar votimin elektronik.

Mirëpo, për herë të parë prej vitit 1993, vëzhguesit zgjedhorë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, nuk do të jetë prezentë në këtë proces, për shkak të kufizimeve që kanë vënë autoritetet ruse.

Grupi i pavarur për vëzhgim Golos – të cilin autoritetet ruse e kanë shpallur “agjent të huaj” – ka thënë se ka vërejtur më shumë se 2,750 raportime për abuzime me vota.

Zëdhënësi i Kremlinit ka hedhur poshtë pretendimet se njerëzve është duke iu bërë presion për të votuar.

Në disa pjesë në lindje të Ukrainës, të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia, banorët me shtetësi ruse janë duke u lejuar që të votojnë, dhe disa kanë kaluar kufirin për të votuar në qendrat ruse.

Ndërkohë, është shtuar zemërimi pasi gjigantët teknologjikë, Apple dhe Google kanë larguar nga platformat e tyre aplikacionin Smart Voting, i cili sipas liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, u ka treguar përdoruesve se cilët kandidatë mund të rrëzojnë nga pushteti kandidatët e partisë në pushtet.

Autoritetet ruse kanë kërcënuar këto dy kompani me gjoba të mëdha nëse refuzojnë ta largojnë aplikacionin, duke thënë se një vendim i tillë do të konsiderohet ndërhyrje në zgjedhje.

Aleati i Navalnyt, Leonid Volkov ka akuzuar gjigantët teknologjikë se janë “zhytur nën shantazhin e Kremlinit”./REL/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat