Opozita hungareze bashkohet për ta sfiduar Orbanin

Evropë

Opozita hungareze bashkohet për ta sfiduar Orbanin

Më: 18 tetor 2021 Në ora: 14:29
Politikani hungarez, Peter Marki-Zay.

Një kryetar konservator i një qyteti hungarez është zgjedhur për ta sfiduar kryeministrin Viktor Orban në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Peter Marki-Zay, pa përkatësi partiake, u zgjodh nga ana e opozitës për të kandiduar për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme hungareze.

Ai tani do të udhëheqë një opozitë të bashkuar në zgjedhjet parlamentare.

Hulumtimet e opinionit tregojnë se ai e ka një mundësi të mirë për të rrëzuar kryeministrin e krahut të djathtë, partia e të cilit Fidesz, është në pushtet që nga viti 2010.

"Ne nuk duam vetëm të zëvëndësojmë Orbanin dhe partinë e tij por duam një Hungari të re, më të pastër dhe më të ndershme", u tha Marki-Zay mbështetësve të gëzuar në Budapest.

Marki-Zay, 49 vjeç, një praktikues i fesë katolike dhe baba i shtatë fëmijëve, fitoi karshi kundërshtares së tij nga qendra e majtë, Klara Dobrev. Ajo i siguroi atij mbështetjen në zgjedhje.

Për shumë vite partia Fidesz e Orbanit ka përfituar nga përçarjet brenda partive opozitare.

Por, për herë të parë që kur erdhi në pushtet, Orban tani do të përballet me një front të bashkuar të partive opozitare, në të cilin përfshihen socialistët, liberalët dhe ish- e djathta ekstreme, Jobbik.

Në një deklaratë, Fidesz tha se rivali i tyre është një "majtist i karrierës".

Qeveria konservatore e Orbanit është kritikuar disa herë për trajtimin që u bën migrantëve, por edhe për ngecjet në sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut përfshirë ato të komunitetit LGBT+ (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat