Franca dhe Italia - si po e luftojnë ato koronan?

Evropë

Franca dhe Italia - si po e luftojnë ato koronan?

Më: 23 nëntor 2021 Në ora: 19:37
Protesta

Edhe në Francë dhe Itali, është sërish në rritje numri i infetimeve të reja me koronavirus. Të dyja vendet kanë reaguar prej kohësh me rregulla që ende po diskutohen në Gjermani.

Franca përforcon. 88 për qind e personave mbi 12 vjeç janë tashmë plotësisht të imunizuar dhe presioni nuk ulet as për dozën e tretë. Të moshuarit dhe personat vulnerabël kanë nevojë për atë që quhet "përforcues”, përndryshe humbasin statusin e vaksinimit në kartelën shëndetësore. Pa të, pjesëmarrja në jetën publike, për shembull, vizita në kafene, kinema apo muze, thuajse është e pamundur.

Edhe në ambjentet e jashtme bëhen kontrolle. Ky njoftim i dha një shtysë të re fushatës së vaksinimit: pragu i pesë milionë personave që morën përforcimin e vaksinës kaloi që një javë më parë.

Kjo nuk është kohë për të qenë të dobët, sipas epidemiologut Renaud Piarroux: "Sfida është të përgatitemi për festat e Krishtlindjeve, për të siguruar që transmetimet të jenë nën kontroll". Edhe në Francë, numri i infeksioneve po rritet sërish me shpejtësi.

Që nga mesi i shtatorit, në Francë vaksinimi ka qenë i detyrueshëm për punonjësit e shëndetësisë. Protestat fillestare kundër kësaj mase janë qetësuar në një masë të madhe.

Dhe frika se mjekët dhe stafi infermieror do t'i kthenin shpinën punës nuk është konfirmuar. Në vend të kësaj, normat e vaksinimit në këto profesione janë mbi 90 përqind.

Fushata e vaksinimit ka ecur në Itali

"Ky armik i poshtër troket vazhdimisht në derë. Duhet të ndërtojmë edhe më shumë mbrojtje kundër tij", paralajmëron pothuajse çdo ditë Francesco Paolo Figliuolo, i cili po bën gjithçka për të fituar këtë betejë. Që kur kryeministri Mario Draghi e emëroi atë Komisionerin e Përgjithshëm të Posaçëm të Covid-it për Italinë, fushata e vaksinimit ka ecur si duhet.

Image
Protesta

Ata të cilëve u vjen radha të marrin vaksinën përforcuese marrin një lajmërim me aplikacion ose njoftim me SMS. Personeli kujdestar dhe infermieror, mësuesit dhe grupet në rrezik kanë marrë një kujtesë prej javësh të tëra. Personat mbi 40 vjeç e kanë radhën nga dhjetori. Për këtë qëllim do të rihapen qendrat e vaksinimit.

Deri tani janë kryesisht të moshuarit dhe të dobëtit që kanë marrë një përforcues si dhe personeli shëndetësor, për të cilët vaksinimi është i detyrueshëm që nga muaji prill. I vaksinuar, i kuruar, i testuar. 3G është gjithashtu në fuqi në autobusë dhe trena, si dhe në të gjithë vendin në vendin e punës - që nga mesi i tetorit.

Kompanitë që nuk kontrollojnë "pasaportën e gjelbër” rrezikojnë një gjobë deri në 1500 euro. Punonjësit pa pasaportë rrezikojnë të humbasin pagën e tyre. "Green Pass” është në fuqi që prej muajit gusht në restorante, bare, teatro, pishina dhe hotele, ku duhet vërtetuar se personi është i vaksinuar ose i shëruar ose ka një test negativ për Corona, jo më të vjetër se 48 orë.

"Green Pass” edhe në pista

Edhe në Tirolin e Jugut, pasaporta e gjelbër është e detyrueshme në vendpushimet e skive, për shembull. Për më tepër, testet për koronan janë me pagesë, pasi italianët duhet të vaksinohen.

Edhe në Itali, numri i të infektuarve ka nisur të rritet sërish ditët e fundit, por ka shumë më pak pacientë të sëmurë rëndë në krahasim me një vit më parë. Ndryshe nga viti i kaluar, sistemi shëndetësor nuk është i mbingarkuar. Në të gjitha rajonet, shifrat mbeten nën pragun kritik. Italia madje ishte në gjendje të pranonte pacientë me korona nga Bavaria.

Për shkak të rritjes së numrit të rasteve me korona, Italia po diskuton rregulla më të rrepta për personat e pavaksinuar dhe kontrolle kufitare me vendet fqinje. 3G është tashmë në fuqi për njerëzit që hyjnë në vend, përfshirë turistët.

Kërkohen kufizime për kundërshtarët e vaksinimit

Janë kryesisht politikanët rajonalë ata që i kërkojnë qeverisë në Romë të vendosë kufizime ndaj kundërshtarëve të vaksinimit, në mënyrë që të shmangen një mbyllje e madhe gjatë dimrit të ardhshëm. Mund të ketë një lloj "Super Green Pass" i cili do të ishte i vlefshëm vetëm 6 ose 9 muaj pas vaksinimit dhe i cili më pas mund të rinovohet me përforcues. Si provë negative përmenden vetëm testet PCR.

Gjithçka do të varet nga sjelljet dhe shkalla e vaksinimit, sipas Ministrit italian të Shëndetësisë Speranza. Ne duam veçanërisht të ruajmë Krishtlindjet dhe sezonin e dimrit. Për këtë, Italia është e gatshme të pranojë rregulla më të rrepta, ka deklaruar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat