​Sllovenia arrin inflacionin më të lartë që nga 2008

Evropë

​Sllovenia arrin inflacionin më të lartë që nga 2008

Më: 30 nëntor 2021 Në ora: 22:22
Foto ilustrim

Çmimet e konsumit në Slloveni në nëntor 2021 u rritën me 4.6 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, që është inflacioni më i lartë që nga tetori 2008, kur ishte 4.9 për qind, njoftoi sot Enti Shtetëror i Statistikave sllovene.

Megjithatë, sipas Bankës Qendrore Sllovene, ky është një efekt i vetëm në inflacionin në Slloveni, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare, ku pritet një ngadalësim vitin e ardhshëm, transmeton Hina.

"Rritja aktuale është pasojë e çmimeve të larta të naftës dhe gazit natyror në tregjet ndërkombëtare dhe çmimet e kuponëve të emetimeve po rriten gjithashtu. Në nëntor, çmimet e energjisë termike dhe karburanteve motorike u rritën përsëri ndjeshëm," tha Banka e Sllovenisë.

Sipas statistikave zyrtare, në muajin nëntor çmimet e mallrave në Slloveni janë mesatarisht më të larta me 6.2 për qind në krahasim me vitin paraprak, ndërsa çmimet e shërbimeve janë më të larta me 1.5 për qind.

Kontributin më të madh në inflacionin mujor me 0.2 pikë përqindje e kanë bërë karburantet më të shtrenjta për motorët dhe veshjet dhe këpucët. Nafta ishte 4.8 për qind më e shtrenjtë në bazë mujore dhe benzina 3.8 për qind. Veshjet dhe këpucët u rritën me 2.6 për qind në nëntor.

Në krahasimin mujor, çmimet e energjisë termike dhe apartamenteve (me 8.2 për qind), duhani (me 2.6 për qind), paketat (me 1.9 për qind), makinat (me 1.2 për qind) dhe çmimet e apartamenteve janë rritur gjithashtu me 0.8 për qind. Këto rritje kontribuuan në inflacionin me 0.1 pikë përqindjeje.

Inflacioni bazë, i matur pa efektin e çmimeve të energjisë, ushqimeve, alkoolit dhe duhanit, ndërkohë ka arritur në 2.7 për qind, ndaj banka qendrore pret që inflacioni në Slloveni të rritet në muajt në vijim, derisa situata në zinxhirët e furnizimit global dhe tregjet e energjisë të qetësohet.

Rritja vjetore e çmimeve, e matur me indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit të përdorur në analizën krahasuese në BE, ishte 4.9 për qind në Slloveni në nëntor, që është 1.4 pikë përqindje më shumë se në tetor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat