BE-ja me investime miliardëshe për ta konkurruar Kinën

Evropë

BE-ja me investime miliardëshe për ta konkurruar Kinën

Më: 1 dhjetor 2021 Në ora: 18:36
Flamuri i Bashkimit Evropian dhe Kinës. Fotografi ilustruese.

Bashkimi Evropian më 1 dhjetor shpalosi planin për investimet botërore në vlerë prej 300 miliardë eurosh, që do të bëhen gjatë shtatë vjetëve të ardhshme.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se qëllimi i këtyre investimeve është që BE-ja të rrisë ndikimin e saj nëpër botë, ta konkurrojë Kinën, e cila ka rritur investimet e saja, dhe të ndihmojë në ndërtimin e një infrastrukture e cila do të lidhte më mirë botën.

BE-ja dhe institucionet e saja financiare do të vënë në dispozicion 145 miliardë dollarë, ndërkaq pjesa tjetër e shumës do të tërhiqet nga investimet private. Blloku evropian dëshiron që të ndihmojë projekte jashtë territorit të saj, nga Ballkani Perëndimor e fqinjësia lindore, deri tek Afrika e Azia.

“Pandemia COVID-19 na ka dëshmuar se sa e ndërlidhur është bota në të cilën jetojmë sot. Si pjesë e rimëkëmbjes tonë globale, ne duam të ndërtojmë një botë e cila në të ardhmen do të jetë e lidhur mirë edhe në infrastrukturë. Modeli evropian është i bazuar në investime në infrastrukturë, në investime të qëndrueshme digjitale, klimë e energji, shëndetësi, edukim dhe hulumtime shkencore”, tha Von der Leyen gjatë prezantimit të këtij plani.

Me këtë plan, BE-ja dëshiron t’i konkurrojë Kinës në skenën globale. Kina më 2013 nisi planin e saj për inciativën “Brezi dhe Rruga” dhe tashmë është duke ndërtuar rrugë, hekurudha, ujësjellës, naftësjellës në Afrikë dhe pjesë të tjera të botës.

Në BE besojnë se mund ta rivalizojnë Kinën jo vetëm sa i përket shumës së investimeve, por para së gjithash edhe me vlerat që do t’i mbrojnë dhe promovojnë përmes projekteve të bllokut evropian.

Duke folur për Kinën, Von der Lyen tha se “investimet e BE-së do të jenë në përputhje me vlerat demokratike për të cilat angazhohet Bashkimi Evropian”.

Në të kaluarën, disa organizata ndërkombëtare kanë shprehur shqetësime për raste të dyshuara të shkeljeve të të drejtave të njeriut të punëtorëve, standardeve të ruajtjes së mjedisit dhe rregullave të konkurrencës në treg nga ana e Kinës.

“Gjithsesi, mund të konkurrojmë dhe jemi në gjendje ta bëjmë këtë. Vendet që kanë përvojë me investimet nga Kina e dinë se ne jemi ndryshe. E dinë se pas investimeve tona nuk mbeten kurthe e borxhe të papritura. Ne prapa nesh e kemi edhe sektorin privat, gjë që nuk është rasti me Kinën. Pra, ka një dallim të qartë”, tha Von der Leyen kur u pyet se a ka mundësi BE-ja që përmes këtij plani të zvogëlojë ndikimin e Kinës, që ka përjetuar një zgjerim në skenën globale.

Komisionari i BE-së për Zgjerim dhe Fqinjësi, Oliver Varhelyi ka përmendur lidhjen si qëllim kyç të këtyre investimeve. Ai tha se BE-ja ka plan për lidhje më të mira infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor, rajon për të cilin, sipas tij, BE-ja ka një plan të veçantë investues dhe ekonomik.

“Lidhja globale e BE-së nis në fqinjësinë tonë. Planet ekonomike dhe investuese që kemi iniciuar së fundmi për Ballkanin Perëndimor dhe fqinjësinë lindore, janë të bazuara në lidhje më të mira edhe mes tyre edhe me BE-në”, tha Varhelyi.

Bashkimi Evropian edhe kësaj radhe thekson se së bashku me shtetet anëtare, është donatori më i madh i ndihmës humanitare për shtetet në zhvillim. Por, kjo ndihmë nuk po reflektohet edhe në ndikimin politik që ka BE-ja në skenën globale.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se përvoja me pandeminë COVID-19 ka qenë një prej shtytjeve për këtë plan investues. Sipas saj, deficitet në infrastrukturë kanë bërë që të ketë ndërprerje me furnizime gjatë pandemisë, që kanë rezultuar në pasoja njerëzore dhe ekonomike.

Sipas vlerësimeve të grupit të G20-tës, hendeku në investimet në infrastrukturë në botë është rreth 13 trilionë euro.

Bashkimi Evropian planifikon që të investojë kryesisht në fushat që janë në përputhje me prioritetet e tij, siç janë zhvillimi digjital, ruajtja e mjedisit dhe energjia e pastër./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat