Të Gjelbrit gjermanë miratojnë marrëveshjen e koalicionit tripalësh

Evropë

Të Gjelbrit gjermanë miratojnë marrëveshjen e koalicionit tripalësh

Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 09:27
Partia gjermane Të Gjelbrit

Miratimi i anëtarëve të Partisë së Gjelbër ishte pengesa përfundimtare për formimin e një qeverie të re koalicioni tripalësh në Gjermani. Dy partitë e tjera, Demokratët e Lirë dhe Socialdemokratët, kanë votuar tashmë.

Partia gjermane Të Gjelbrit njoftoi të hënën se anëtarët e saj kishin rënë dakord të formonin një koalicion me Socialdemokratët e qendrës së majtë (SPD) dhe Demokratët e Lirë liberalë (FDP).

"Po"-ja nga anëtarët e Të Gjelbërve - partia e fundit që ra dakord për të ashtuquajturin koalicion "semafori" - hapi rrugën për qeverinë e parë në 16 vjet pa Angela Merkel si kancelare.

Image
Partia gjermane Të Gjelbrit

Në tërësi, 86% e votave të vlefshme ishin për marrëveshjen e koalicionit. Votën e dhanë rreth 57% e 125.000 anëtarëve të partisë, sipas sekretarit të përgjithshëm të partisë, Michael Kellner.

Bashkëkryetarja e partisë Annalena Baerbock tha se rezultati do t'i jepte vrull punës së qeverisë së re.

Kancelari i ri deri të mërkurën?

Të Gjelbrit kanë marrë disa poste brenda kabinetit të ri. Bashkëkryetari Robert Habeck, i cili do të jetë edhe zëvendëskancelar, do të drejtojë ministrinë e Ekonomisë dhe Mbrojtjes së Klimës; bashkëkryetarja tjetër, Annalena Baerbock, do të jetë ministre e Jashtme; Anne Spiegel do të jetë Ministre e Familjes; Steffi Lembke do të marrë drejtimin e Ministrisë së Mjedisit; dhe veterani i të Gjelbërve, Cem Özdemir do të jetë ministër i Ushqimit dhe Bujqësisë.

Klaudia Roth, një tjetër veterane e të Gjelbërve, do të jetë E Ngarkuara për Kulturën në vend. Tani që të Gjelbërit e miratuan marrëveshjen e koalicionit, kancelari i emëruar nga socialdemokratët, Olaf Scholz, mund të zgjidhet të mërkurën.

SPD njoftoi të hënën emrat e saj për kabinetin e qeverisë së re federale.

Partia socialdemokrate, e cila doli partia më e fortë në zgjedhjet e shtatorit në Gjermani do të marrë portofolet e punës dhe çështjeve sociale, shëndetësisë, të brendshme, mbrojtjes, zhvillimit, ndërtimit dhe strehimit dhe kancelarinë./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat