Lirohet burri i arrestuar në Francë për vrasjen e gazetarit Khashoggi

Evropë

Lirohet burri i arrestuar në Francë për vrasjen e gazetarit Khashoggi

Më: 8 dhjetor 2021 Në ora: 15:26
Një pano, në të cilën shkruan: "drejtësi për Khashoggin". Fotografi nga arkivi.

Autoritetet franceze më 8 dhjetor kanë liruar një burrë saudit të cilin e arrestuan gabimisht një ditë më parë nën dyshimet se ishte i përfshirë në vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi, në Stamboll para tre vjetësh.

Khaled al-Otaibi u arrestua nga policia kufitare franceze në aeroportin e Parisit, Charles-de-Gaulle më 7 dhjetor para se të udhëtonte në Riad.

Ai u vendos në paraburgim dhe pritej të paraqitej në gjykatë më 8 dhjetor.

Sidoqoftë, al-Otaibi është liruar sepse autoritetet franceze kuptuan që e kishin ngatërruar personin pas njoftimit të Ambasadës saudite në Paris, e cila njoftoi se “personi i arrestuar nuk kishte fare të bënte me rastin e Khashoggit”.

Më pas Prokuroria në Paris po ashtu njoftoi se pas verifikimeve është konstatuar se i arrestuari nuk ishte personi i kërkuar për vrasjen e gazetarit saudit.

Khashoggi, kritik i madh i Qeverisë saudite i cili jetonte në SHBA ishte vrarë në tetor të 2018-s pasi hyri në Konsullatën saudite në Stamboll për të rregulluar disa dokumente personale në mënyrë që të martohej.

Sipas zyrtarëve turq, një njësi speciale saudite ishte duke e pritur për ta vrarë. Trupi i tij asnjëherë nuk u gjet.

Vrasja kishte shkaktuar zemërim global dhe dëmtoi dukshëm imazhin e Arabisë Saudite dhe sundimtarit të saj Princit Muhammad bin Salman.

Deri më tani tetë persona janë dënuar për vrasjen e gazetarit, nga Gjykatata saudite në vitin 2019. Pesë prej tyre u dënuan me vdekje por më pas dënimet u ndryshuan në 20 vjet burgim, derisa tre të tjerë u dënuan me nga 7 deri në 10 vjet burgim.

Edhe në Turqi filloi gjykimi në mungesë i 20 personave nga Arabia Saudite për këtë vrasje. 6 persona më pas u liruan./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat