Blinken viziton Gjermaninë dhe Ukrainën këtë javë

Evropë

Blinken viziton Gjermaninë dhe Ukrainën këtë javë

Më: 18 janar 2022 Në ora: 18:16
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të vizitojë Kievin më 19 janar për të biseduar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, si shenjë mbështetjeje në kohën e shqetësimeve të Perëndimit se Rusia po përgatitet për të pushtuar këtë shtet fqinj.

Blinken do të takohet me Zelenskyin dhe ministrin e Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, për të “rikonfirmuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës".

Ai më pas do të vizitojë edhe Berlinin për të zhvilluar bisedime me ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, përmes një deklarate.

Price ka thënë se ky takim do të pasohet nga takimet me Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, gjatë së cilave do të diskutohet rreth përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar agresionin rus kundër Ukrainës, si dhe për “gatishmërinë e aleatëve rreth pasojave masive dhe kostove ekonomike ndaj Rusisë”.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e Perëndimit kanë paralajmëruar për pasoja të rëndë për Moskën nëse Rusia, e cila ka mbledhur qindra mijëra trupa afër kufijve të Ukrainës, pushton ish-republikën sovjetike.

Moska hedh poshtë pretendimet se ka plane të tilla.

Udhëtimi i Blinkenit në Gjermani vjen pas vizitës që ka bërë Baerbock në Moskë më 18 janar.

Atje është takuar me homologun e tij rus, Sergei Lavrov.

Perëndimi veçse ka vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë, në mars të vitit 2014, dhe për shkak të mbështetjes së separatistëve në lindje të Ukrainës.

Në luftën në lindje të Ukrainës kanë vdekur mbi 13.200 persona prej prillit të vitit 2014.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat