Opinion: Çarmatimi verbal i Annalena Baerbockut në Moskë

Evropë

Opinion: Çarmatimi verbal i Annalena Baerbockut në Moskë

Më: 19 janar 2022 Në ora: 13:20
Annalena Baerbocku

Udhëtimin e parë si ministre e Jashtme në Kiev dhe Moskë, Annalena Baerbocku e përfundoi në mënyrë bindëse. Por prova e vërtetë e zjarrit nuk ka ardhur ende, beson Roman Gonçarenko.

Deri këtu ka arritur puna: gjermanët përpiqen t'i ndalojnë rusët që ata të sulmojnë ukrainasit. Në Ukrainë ky ishte një realizim i hidhur gjatë aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe në raunde të ndryshme negociatash për Ukrainën Lindore. Këto ditë ky realizim është sërish aktual, siç e tregon udhëtimi i parë i ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock në Kiev dhe në Moskë: ajo që diskutohet është si mund të pengohet një luftë e re.

Por tensioni qe veçanërisht i lartë jo vetëm për shkak të trupave ruse në kufi me Ukrainën dhe prej kërcënimeve të Moskës në drejtim të Perëndimit. Të pafundme qenë spekulimet për një matje forcash midis Baerbockut dhe ministrit të jashtëm rus veteran në post, Sergej Lavrov. A do ta denigrojë diplomati me përvojë dhe gjuhëmprehtë kolegen shumë më të re gjermane, siç bëri vitin e kaluar me Të Ngarkuarin për politikën e jashtme të BE, Josep Borell? A do të ketë një debat të ashpër verbal si me parardhësin e Baerbockut, Heiko Maas? A do të argumentojë Baerbocku njësoj me forcë, siç ka bërë në të kaluarën në spektaklet televizive?

Në gjurmët e Merkelit

Surpriza: asgjë nga këto nuk ndodhi. Në konferencën e përbashkët të shtypit të së martës në Moskë, Baerbocku praktikoi çarmatimin verbal, theksoi të përbashkëtat në kulturë dhe ekonomi, përcolli mesazhet e saj politike me besim dhe qetësi. Ajo bëri thirrje për dialog dhe diplomaci në konfliktin ruso-ukrainas dhe nuk i kurseu kritikat e saj ndaj politikës së brendshme ruse. Kështu Baerbocku përmendi, qoftë edhe kalimthi, politikanin opozitar të burgosur Alexej Nawalny dhe organizatën e të drejtave të njeriut të shpërbërë së fundmi "Memorial".

Fjalët e Baerbockut për nevojën e mëtejshme për gaz rus mund të kenë qenë veçanërisht të këndshme për veshët e Lavrovit. Ministrja e Jashtme e anashkaloi me zgjuarsi çështjen e gazsjellësit të diskutueshëm Nord Stream 2, të cilin Baerbocku e kishte vënë në dyshim kur ishte politikane opozitare, duke iu referuar kontratës së koalicionit dhe ligjit evropian të energjisë. Ishte e arsyeshme, sepse Baerbocku në fund të fundit dëshiron të mbajë kontakte me rusët. Performanca e saj në Moskë të kujton fuqimisht mënyrën se si Angela Merkel e ka paraqitur veten gjithmonë para Rusisë: objektive, e respektueshme dhe megjithatë qartësisht kritike. Kjo meriton të lëvdohet.

Nga ana e tij, Lavrovi hoqi dorë nga ngacmimet e tij të zakonshme, përsëriti mesazhet e mëparshme dhe sinjalizoi se ishte gati të përmirësonte marrëdhëniet me Berlinin, të cilat kohët e fundit kanë arritur në nivele të ulëta historike. Është e qartë se Moska nuk ka asnjë interes të rrezikojë menjëherë marrëdhëniet e saj me qeverinë e re federale.

Image
Annalena Baerbocku dhe Sergej Lavrov.

 

Sërish diplomaci ecejakesh

Ndryshe nga ajo që pritej, ky udhëtim ende nuk ishte prova e zjarrit për Baerbockut - kjo provë ende nuk ka ardhur. Sidoqoftë, ajo shënoi fillimin e diplomacisë tradicionale ecejakesh. Në ditët në vijim, ministrja e Jashtme planifikon të udhëtojë sërish në Ukrainë, këtë herë në lindje, ku do të vizitojë me kolegun e saj francez rajone pranë vijës faktike të frontit. Më pas ajo dëshiron të rifillojë formatin e Normandisë. Baerbocku u përpoq të hidhte themelet për këtë projekt. Na mbetet të shpresojmë se do të funksionojë.

Referenca në histori ndoshta mund të na ndihmojë: në Ukrainë si në Rusi, ministrja e Punëve të Jashtme kujtoi faqet e errëta të së kaluarës gjermane në lidhje me të dyja vendet. Në Kiev, ajo arsyetoi kështu refuzimin e saj të ri për t'iu përgjigjur dëshirës së Ukrainës për të marrë armë nga Gjermania. Ky është një vendim i mirë: Gjermania më mirë duhet të ushtrojë presion më të fortë ekonomik ndaj Moskës sesa të dërgojë armë në Kiev dhe kështu municion për propagandën ruse.

Në të ardhmen, Ukraina duhet të theksojë me të drejtë edhe më fort se përgjegjësia gjermane për krimet naziste në Bashkimin Sovjetik vlen jo vetëm për Moskën, por edhe për Kievin. Me fjalë të tjera, Berlini duhet të angazhohet më shumë, qoftë edhe për shkak të përgjegjësisë historike. Gjermanët janë ndoshta të vetmit që ende mund ta pengojnë Rusinë të bëjë një luftë të re në Ukrainë. /DW

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat