Edhe Britania e Madhe eksperimenton javën e punës me 4 ditë

Evropë

Edhe Britania e Madhe eksperimenton javën e punës me 4 ditë

Më: 21 janar 2022 Në ora: 07:00
Ilustrim

…me të njëjtën pagë

Punonjësve në Mbretërinë e Bashkuar do t’u ofrohet mundësia për të punuar katër ditë në javë, pa reduktim të pagës. Një program pilot prej gjashtë muajsh, i njoftuar të hënën, po rekruton kompani për të studiuar efektin e orareve të punës më të shkurtra në produktivitetin e sipërmarrjeve dhe mirëqenien e punonjësve, si dhe ndikimin në mjedis dhe barazinë gjinore.

Kompanitë do të ndjekin modelin 100:80:100, ku punonjësit do të marrin 100% të pagës për 80% të kohës – në këmbim të angazhimit për të ruajtur 100% të produktivitetit të tyre të mëparshëm.

“Java me katër ditë sfidon modelin aktual të punës dhe ndihmon kompanitë të braktisin matjen e thjeshtë se për sa kohë njerëzit janë në ‘punë’, duke u përqendruar më shumë në output-in e produktit” – tha Joe O’Connor, drejtues i
programit pilot 4 Day Week Global.

Programi, i cili udhëhiqet nga kërkuesit e Universitetit të Cambridge e Oxford dhe nga Boston College, si dhe grupet jofitimprurëse që mbështesin 4 Day Week Global, 4 Day Week UK Campaign dhe think-thankun britanik Autonomy, synon të rekrutojë 30 kompani britanike brenda fillimit të qershorit të këtij viti.

Punoni në mënyrë më të zgjuar, jo më gjatë

Vitin e kaluar, rezultatet e një studimi mbi javën e punës me katër ditë në Islandë treguan se produktiviteti në punë mbeti i njëjti ose madje u përmirësua kur orari i punës u reduktua. Pjesëmarrësit në studim, i cili zgjati dy vjet, raportuan “një efekt të madh pozitiv në ekuilibrin mes punës dhe jetës private” që përfshinte më shumë kohë me fëmijët apo për t’ua kushtuar hobeve.

Programi pilot në Mbretërinë e Bashkuar reflekton një vëmendje në rritje në mënyrat më elastike të të punuarit në të gjithë botën, me skema të ngjashme të aplikuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Irlandë, Australi dhe Zelandë të Re në të njëjtën kohë.

Edhe qeveritë në Spanjë dhe Skoci kanë nisur eksperimentet e tyre. “Me përfitimet sociale dhe mjedisore të javës së punës më të shkurtër, të cilat bëhen më të qarta, mbështetjen e njerëzve në rritje dhe teknologjinë e disponueshme për të ruajtur produktivitetin, ka ardhur koha që më shumë organizata të ndërmarrin hapin dhe të zbulojnë aspekte konkrete” – tha Brendan Burchill, profesor i shkencave sociale në Cambridge University.

Të kursesh kohë dhe energji

Organizatorët e eksperimentit të javës me katër ditë tregojnë faktet e mëparshme që vërtetojnë se nga oraret më të shkurtra mund të përfitojnë si kompanitë edhe punonjësit.

Në 2019-n, Microsoft në Japoni shkurtoi javën e punës në katër ditë – e premtja e dhënë si ditë pushim e paguar – i cili rriti produktivitetin me 40%. Ajo solli përfitime edhe mjedisore – konsumi i elektricitetit ra me 23% dhe personeli përdori 59% më pak letër të printuar, tha kompania. “Gjithnjë e më shumë kompani po lëvizin drejt strategjive të orientuara te produktiviteti për t’u mundësuar atyre të reduktojnë orët e punonjësve pa ulur pagën.

Ne jemi entuziastë nga interesi në rritje në programin tonë pilot dhe në javën katërditore më gjerësisht,” tha O’Connor.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat