Mali i Zi, konferenca rajonale për përhapjen e dezinformatave në media

Evropë

Mali i Zi, konferenca rajonale për përhapjen e dezinformatave në media

Më: 1 prill 2022 Në ora: 00:44
Reinke/Abazoviq

Ambasadorja e SHBA-së në Mal të Zi, Judy Raising Reinke tha të enjten, në konferencën rajonale "Rrjeti i dezinformimit: Demokracia e Vjedhur" mbajtur në Podgoricë, se "qeveria ruse po përhap dezinformata dhe po ekzekuton fakte, në mënyrë që NATO të duket se është fajtori".

Duke folur për Rusinë, ajo tha se “vendi ka makinerinë për të përhapur dezinformata”.

"Rusia ka një makineri për vendosjen e dezinformatave, që shpikin histori pa asnjë të vërtetë".

Zonja Reinke tha se "Shtetet e Bashkuara nuk kanë armë kimike apo biologjike apo programe për armë të tilla. Ne nuk kemi programe të tilla, Rusia ka. Ne kemi dëshmi të përdorimit të armëve biologjike. Kjo ka ndodhur në Mbretërinë e Bashkuar, ku qytetarët tonë ishin viktima” .

Zëvendëskryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se në hapësirën publike ka shumë dezinformata dhe se lajmet e rreme janë bërë dominuese në Mal të Zi.

"Në rrjetet sociale po zhvillohet një luftë e madhe politike dhe ku vërehet një mungesë profesionalizmi”, tha zoti Abazoviq.

Zoti Abazoviq, vuri në dukje, se në të ardhmen duhet të forcohet politika penale ndaj mediave që dezinformojnë.

“Kur të formohet qeveria e re, duhet të përmbushen detyrimet për uljen e ndikimit të lajmeve të rreme dhe dezinformatave dhe të forcohet politika penale ndaj mediave të caktuara,” tha Abazoviq.

Abazoviq shtoi se “afirmimi i akteve fashiste, polarizimi i fortë dhe nacionalizmi është shumë i dëmshëm për sistemet e vogla si Mali i Zi, të cilat janë ende shumë të cenueshme.”

Eurodeputeti Tonino Picula theksoi se “keqinformimi ka çuar në humbjen e besimit në media.”

Zoti Picula shtoi se grupe të caktuara në shoqëri janë veçanërisht të cenueshme dhe të ndjeshme ndaj efekteve të dëmshme të dezinformatave.

“Problemi i dezinformimit po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm si pengesë në shumë sfera të jetës. Duke nisur nga shfrytëzimi i shpresave dhe frikës, qasja sensacionale ndaj tragjedive, manipulimi i të dhënave, redaksitë me kërcënime të ndryshme, keqinformimi si keqinterpretim i qëllimshëm, çuan në humbjen e besimit, jo vetëm në mjedisin mediatik, por edhe në politikëbërje dhe teknologji”, tha zoti Picula.

Zëvendësshefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Ricardo Seri, tha se roli i gazetarëve është shumë i rëndësishëm në shoqëri.

“Fondi i Medias për Luftën kundër Dezinformimit do të përpiqet të përmirësojë kapacitetin e mediave kryesore për të zbuluar dhe gjetur dezinformatat”, tha Seri.

Zoti Seri tha se delegacioni mbështet iniciativën për futjen e shkrim-leximit mediatik në shkolla.

Konferenca u organizua me mbështetjen e Fondit Ballkanik për Demokraci (BTD)./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat