Mali i Zi: Arrestime në nivele të larta të drejtësisë

Evropë

Mali i Zi: Arrestime në nivele të larta të drejtësisë

Më: 10 maj 2022 Në ora: 13:03
Foto ilustrim

Me urdhër të Kryeprokurorit Special në Mal të Zi u arrestua kryetari i Gjykatës Ekonomike si dhe disa bashkëpunëtor të tij të dyshuar për vepra kriminale.     

Nën dyshimin për korrupsion u arrestua (09.05.) kryetari i Gjykatës Ekonomike, Blazho Jovaniq, dhe disa persona të tjerë në disa qytete të Malit të Zi. Ndaj tyre dyshohet, se kanë krijuar organizatë kriminale, keqpërdorim të detyrës, duke i shkaktuar dëme të mëdha shtetit që llogariten në disa dhjetra million euro. Arrestimi i këtyre personave pasoi pas burgosjes së ish-kryetares së Gjykatës së Lartë të Malit të Zi,Vesna Medenica mbi të cilën po ashtu rëndon akuza për krijimin e organizatës kriminale dhe keqpërdorim detyre. 

Zyrtarët e Malit të Zi përshëndesin aksionin 

Kryeministri Dritan Abazoviq përshëndeti aksionin e Prokurorisë Speciale të Shtetit dhe tha, se ai paraqet  përgjigjen më të mirë ndaj kritikave për përpjekje të pamjaftueshme në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas Abazoviq, i cili në qeverinë e mëparshme ka qenë dhe koordinator i angazhuar për shërbimin e sigurisë, tha se "drejtësia ka nisur më parë, vetëm tani do të marrë edhe më shumë vrull. ”Grupet mafioze nënvizoi ai i kanë sjellë dëme të mëdha shtetit në periudhën e mëparshme dhe se aksioni në fjalë është fillim i mbarë: "Tani ka ardhur koha që sejcili të mbajë përgjegjësi për atë që ka bërë".

Ministri i brendshëm: "Ky është vetëm fillimi” 

Ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Filip Axhiq  përshëndeti aksionin e Drejtorisë së Policisë në arrestimin e Kryetarit të Gjykatës Ekonomike dhe bashkëpunëtorëve të tij.  

"Ne mirëpresim aksionin e policisë, aksion që është ndërmarrë me urdhër të kreut të porsazgjedhur të prokurorisë speciale dhe se "ky është vetëm fillimi në forcimin e besimit në institucionet e sigurisë”.

"Veprimet si këto të fundit, janë treguesi më i mirë i përkushtimit të luftës së pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i cili është i një nga prioritetet kryesore të qeverisë”, tha ministri Axhiq. Ka kohë që në raportet e bashkësië ndërkombëtare  thuhet se në Mal të Zi ekziston  e ashtuquajtura "mafia e falimentimit”e cila përbëhet  nga një rrjet  gjyqtarësh të korruptuar dhe administratorësh të falimentimit, të cilët me veprime antiligjore i kanë sjellë dëme të mëdha shtetit. Emri i Kryetarit të Gjykatës Ekonomike  të porsaarrestuar ka qenë ndër emrat shumë të përfolur./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat