DW/Gjermania: CDU fiton zgjedhjet për parlamentin e landit në NRW

Evropë

DW/Gjermania: CDU fiton zgjedhjet për parlamentin e landit në NRW

Më: 15 maj 2022 Në ora: 23:45
Hendrik Wüst

Në landin më të madh të Gjermanisë NRW u zgjodh parlamenti i ri. Të drejtë vote kishin 13 milionë vetë. Partia CDU e kryeministrit Hendrik Wüst fitoi shumicën e votave.

Kryeministri aktual i landit Renani Veriore-Vestfali (NRW) Hendrik Wüst i konsideron rezultatet e votimit, gjatë të cilit CDU fitoi mbi 35% të votave, si një mandat të qartë për të vazhduar të udhëheqë qeverinë. 

Megjithatë pas fitores së CDU-së në zgjedhet për parlamentin e landit NRW është i paqartë formimi i qeverisë.

Partia e Gjelbër fiton ndjeshëm 

Image
Foto ilustrim

Të Gjelbrit arritën në këto zgjedhje një rezultat rekord, që i bën ata një faktor vendimtar në formimin e qeverisë së re. Nga ana tjetër partia FDP që ishte bashkëqeverisëse në qeverinë e mëparshme, pësoi humbje të mëdha.

Pra pavarësisht suksesit të CDU-së, një gjë është e qartë: koalicioni CDU FDP, që është në pushtet prej pesë vitesh, nuk e ka më shumicën në parlamentin e landit NRW në Dyseldorf. 

Koalicionet e mundshme

Ndër koalicionet e mundshme mund të jetë një aleancë mes CDU dhe të Gjelbërve. Por edhe socialdemokratët (SPD) që fituan 27% të votave mund të përpiqet të krijojnë një aleancë me të Gjelbrit dhe FDP-në sipas modelit të qeverisë federale. I mundshëm mund të ishte madje edhe një koalicion mes SPD dhe të Gjelbërve Pra në këtë mes ka ende shumë pyetje pa përgjigje. Gjatë fushatës zgjedhore të Gjelbrit dhe FDP-ja i mbajtën të hapura të gjitha opsionet për koalicione dhe aleanca paszgjedhore.

Test për zgjedhjet federale

Votimi në landin me numrin më tëmadh të popullsisë në Gjermani konsiderohet si një "zgjedhje e vogël në nivel federate" dhe një test i rëndësishëm për politikën e kancelarit Olaf Scholz (SPD) dhe për liderin e ri të opozitës CDU, Friedrich Merz. Në landin NRW kishin të drejtë të vote 13 milionë qytetarë, që përbëjnë rreth një të pestën e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote në Gjermani./DW

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat