Autoritetet shëndetësore të Sllovenisë kanë konfirmuar rastin e parë të infeksionit me li të majmunëve, në një udhëtar që ishte kthyer nga Ishujt Kanarie të Spanjës.
Burri nuk u shtrua në spital sepse ishte infektuar nga një version i butë i llojit të sëmundjes virale të Afrikës Perëndimore, tha Mario Fafangel, kreu i Qendrës Kombëtare për Sëmundjet Infektive, në një konferencë shtypi të martën.
Fafangel tha se ai besonte se zinxhiri i transmetimit në Slloveni do të ndalet shpejt dhe se nuk kishte nevojë që popullata e gjerë të vaksinohej, shtoi ai, përveç atyre që trajtojnë virusin në laboratorë.
Gjithashtu, të martën, Republika Çeke regjistroi rastin e parë të lisë së majmunëve.
Pavel Dlouhy, kreu i Shoqatës Çeke për Sëmundjet Infektive, i tha agjencisë së lajmeve AFP, të martën, se sëmundja u zbulua te një burrë në Spitalin Universitar Ushtarak të Pragës, por nuk pranoi të jepte ndonjë detaj.
“Ishte vetëm një çështje kohe, ne e kemi pritur këtë për ditë të tëra”, tha Dlouhy.
Gjatë ditëve të fundit, disa vende evropiane dhe të Amerikës së Veriut, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Shtetet e Bashkuara, kanë raportuar raste të virusit të rrallë, i cili është endemik në pjesë të Afrikës.
Megjithatë, autoritetet mjekësore kanë thënë se rreziku që sëmundja të përhapet gjerësisht është i ulët.