Probleme me mobilizim në Rusi, në ushtri janë ftuar edhe ata nën 16-vjeç

Evropë

Probleme me mobilizim në Rusi, në ushtri janë ftuar edhe ata nën 16-vjeç

Më: 25 shtator 2022 Në ora: 09:13
Ushtarë

Pasi që presidenti rus nënshkroi mobilizimin e pjesshëm të rusëve për luftën në Ukrainë, kanë filluar të shfaqen problemet kur bëhet fjalë për këtë situatë.

Siç raporton e përditshmja ruse Kommersant, kreu i Republikës së Jakutskut, Aisen Nikolaev, ka deklaruar se kanë ndodhur lëshime të caktuara në procesin e mobilizimit, sa që janë mobilizuar persona të caktuar që nuk kanë fare njohuri në këtë fushë.

Ai u ka bërë thirrje zyrtarëve lokalë që marrin pjesë në mobilizim të rritin bashkëpunimin me ushtarakët, që në të ardhmen të mos ketë lëshime tjera.

“Të gjithë ata që gabimisht janë mobilizuar duhet të kthehen. Këto aktivitete tashmë kanë filluar. Ka raste kur mobilizohen qytetarë që kurrë nuk do të duhej të ftoheshin. Janë mobilizuar njerëz që kanë katër apo më shumë fëmijë apo janë më të ri se 16-vjeç. Për t’u parandaluar kjo, kanë dhënë instruksione që të rritet interaksioni i zyrtarëve ushtarakë me autoritetet lokale”, tha kreu i Jakutskut.

Probleme të ngjashme kanë ndodhur në rajonin Vladimirsk në perëndim të Rusisë, ku guvernatori Alexandar Avdeyev, pranoi se si kanë ekzistuar probleme të caktuara me rastin e mobilizimit.

“Të gjithë që gabimisht janë mobilizuar do të kthehen në shtëpi”, shtoi guvernatori në kanalin zyrtar në Telegram.

Kujtojmë që Vladimir Putin gjatë 21 shtatorit, nënshkroi vendimin për mobilizim të pjesshëm të banorëve për të luftuar në Ukrainë.

Ministria ruse e Mbrojtjes, ka njoftuar se në këtë proces do të ftohen 300 mijë burra, derisa mediat e afërta me opozitën ruse theksojnë se Kremlini ka për qëllim të ftojë numër shumë më të madh të banorëve për të luftuar – duke pretenduar se mund të shkojë në një milion.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat