Drejtori i Doganës i Malit të Zi arrestohet për kontrabandë me cigare

Evropë

Drejtori i Doganës i Malit të Zi arrestohet për kontrabandë me cigare

Më: 2 tetor 2022 Në ora: 10:59
Drejtori i Doganës në Mal të Zi, Rade Millosheviq.

Drejtori i Administratës së të Ardhurave dhe Doganës në Mal të Zi, Rade Millosheviq, është arrestuar më 1 tetor me urdhrin e Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Shtetit. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në organizimin e një zinxhiri, që ka kontrabanduar një pjesë të cigareve që u konfiskuan këtë verë në Zonën e Lirë Doganore në Portin e Barit.

Në këtë port, sipas të dhënave britanike, mbi 2 miliardë tonë cigare kontrabandohen çdo vit. Këtë verë, autoritetet kanë kryer tri aksione të konfiskimit. Më 12 qershor u konfiskuan cigare në vlerë prej 3.5 milionë eurosh, më 14 qershor u konsifskuan 1.2 milionë euro cigare dhe në mesin e majit u konfiskua duhan në vlerë prej dhjetëra miliona eurosh, kishte thënë atëbotë kryeministri Dritan Abazoviq.

Përveç Millosheviqit, edhe disa persona të tjerë u arrestuan në Nikshiq dhe Podgoricë në operacionin e Departamentit të Policisë Speciale, që u krye me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Posaçëm të Shtetit dhe të Agjencisë për Siguri Kombëtare. Të arrestuarit dyshohen se kanë marrë pjesë në kontrabandimin e duhanit të konfiskuar, që dyshohej se ishte djegur në disa furra në dy fabrika në Mal të Zi.

Zyra e Prokurorisë së Posaçme beson se një pjesë e pakove të cigareve që nuk u dogjën, ashtu siç ishin raportuar në dokumentet e Administratës së të Ardhurave dhe Doganës, ka përfunduar në zinxhirin e kontrabandës.

Në ngjarjen ku u dogjën cigaret, që u zhvillua më 30 shtator, kishte marrë pjesë edhe kryeministri Abazoviq dhe Millosheviq, i cili kishte deklaruar se shkatërrimi i cigareve i kryer nga Administrata e të Ardhurave dhe Doganës, paraqet një goditje të madhe për grupet kriminale të përfshira në kontranandimin e cigareve.

Ky nuk ishte aksioni i vetëm për shkatërrimin e cigareve.

Në mesin e vitit, po e njëjta administratë kishte organizuar shkatërrimin e cigareve në fabrikën në Javorak.

Një orë para se të njoftohej arrestimi i Millosheviqit, kryeministri Abazoviq dhe ministri i Brendshëm, Filip Anzhiq, mirëpritën aksionin e Zyrës së Prokurorisë së Posaçme në parandalimin e kontrabandimit të cigareve.

Millosheviq është zyrtar i lartë i Lëvizjes Qytetare URA të Dritan Abazoviqit, i cili është kryeministër teknik i Malit të Zi./REL

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat