LIVE: Lufta në Ukrainë/ Paralajmërohet takimi i ‘madh’ Biden-Putin – ja çfarë thonë nga Rusia!

Evropë

LIVE: Lufta në Ukrainë/ Paralajmërohet takimi i ‘madh’ Biden-Putin – ja çfarë thonë nga Rusia!

Nga: BOTA SOT Më: 2 dhjetor 2022 Në ora: 08:10 Përditësuar në ora: 16:56 më 02.12.2022
Joe Biden dhe Vladimir Putin

Biden: Gati të bisedoj me Putinin nëse ai ka interes t’i japë fund luftës

Presidenti Joe Biden dhe Presidenti francez Emmanuel Macron deklaruan se kurrë nuk do të ushtronin trysni ndaj Ukrainës për të negociuar përfundimin e luftës me Rusinë. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara dhe Franca qëndrojnë të bashkuara si kurrë më parë me aleatët e tyre të NATO-s, kundër agresionit të Moskës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Cindy Saine njofton.

Presidenti Joe Biden dhe zonja e parë Jill Biden pritën të enjten në Shtëpinë e Bardhë presidentin francez Emmanuel Macron dhe bashkëshorten e tij, Brigitte Macron. Kjo shënon vizitën e parë shtetërore të një udhëheqësi të huaj gjatë presidencës Biden.

Mbështetja për Ukrainën, ndërsa po afron një dimër i acartë, e teksa Rusia po dëmton infrastrukturën energjetike të vendit, ishte në krye të axhendës së tyre.

Gazetarët pyetën presidentin Biden nëse do të zhvillonte bisedime me presidentin rus Vladimir Putin në një përpjekje për t'i dhënë fund luftës.

“Nuk kam ndonjë plan për të kontaktuar zotin Putin. Por jam i gatshëm të bisedoj me të. Nëse ka interes nga ana e tij për të gjetur një mënyrë për t'i dhënë fund luftës, gjë që ai nuk e ka bërë ende, por nëse do ishte kështu, në konsultim me miqtë e mi francezë e të NATO-s, do të isha i lumtur të ulesha me zotin Putin për të kuptuar se çfarë dëshiron ai, e çfarë ka në mendje”, tha zoti Biden.

Zoti Macron u pyet nëse ka patur një kërkesë nga Presidenti Biden që të bëjë përpjekje për të bindur Ukrainën që të negociojë për t'i dhënë fund luftës, për shkak të rrezikut që i kanoset stabilitetit botëror. 

“Ne kurrë nuk do t'i nxisim ukrainasit të bëjnë një kompromis, që nuk do të jetë i pranueshëm për ta. Ata janë shumë të guximshëm dhe mbrojnë, jetën e kombin e tyre, si dhe parimet tona. Nëse do të bënim ndryshe, nuk do të ndërtonin kurrë një paqe të qëndrueshme”, tha zoti Macron.

Pavarësisht disa dallimeve të mprehta mbi një ligj të ri të SHBA-ve që favorizon produktet amerikane të lidhura me energjinë e pastër, në kurriz të konkurrentëve evropianë, presidentët Biden e Macron ripohuan se Parisi është aleati më i vjetër i Uashingtonit dhe se të dy vendet janë të rëndësishëm për t'i bërë ballë Rusisë.

Senatori republikan James Risch i tha Zërit të Amerikës se ka gjasa që Kongresi ta miratojë kërkesën e zotit Biden për një ndihmë shtesë prej 38 miliardë dollarësh për Ukrainën, përpara fillimit të sesionit të ardhshëm në janar, kohë kur ndryshojnë dhe balancat në Kongres. 

“Mesazhi që Putini duhet të marrë është se ne do të qëndrojmë në krah të Ukrainës derisa ajo ta fitojë luftën”, tha zoti Risch.

Rezultati i luftës nuk është i rëndësishëm vetëm për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre, i tha Zërit të Amerikës senatorja demokrate Jeanne Shaheen.

“Kundërshtarët tanë, konkurrentët tanë, si Kina, Irani, Koreja e Veriut, po vëzhgojnë se çfarë po bëjnë aleatët dhe se cili do ta fitojë luftën në Ukrainë. Ata po shohin nëse do të jemi të suksesshëm e nëse do ta vendosim para përgjigjësisë Vladimir Putinin”, tha zonja Shaheen. 

Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në rezistencën e saj ndaj Rusisë për aq kohë sa të jetë e nevojshme./VOA

Kremlini i përgjigjet Presidentit Biden mbi takimin me Presidentin Putin

Kremlini tha sot se Presidenti Vladimir Putin është i hapur për bisedime mbi një zgjidhje të mundshme mbi Ukrainën, por shtoi se refuzimi i Shteteve të Bashkuara për të njohur territoret e aneksuara nga Moska, po bëhet pengesë për një kompromis të mundshëm. 

"Mënyra më e preferuar për të arritur qëllimet tona është nëpërmjet mjeteve paqësore e diplomatike", tha zoti Dimitri Peskov. "Putini ka qenë, është dhe mbetet i hapur për kontakte e negociata", shtoi ai. 

Rusia ka shpallur aneksimin e rreth një të pestës së territorit të vendit ish-sovjetik, Ukrainës, gjë që Perëndimi dhe Kievi thonë se nuk do ta pranojnë ndonjëherë. Kremlini thotë se kjo është pengesë për gjetjen e një kompromisi të mundshëm.

I pyetur nëse Moska shihte një mundësi për negocita pas deklaratës mbi këtë çështje të presidentit Biden, zoti Peskov tha se "në thelb, zoti Biden u shoreh se negociatat janë të mundshme vetëm pasi Putini të largohet nga Ukraina".

Kremlini, tha zoti Peskov, nuk mund ta pranonte këtë gjë, duke shtuar se ai që Moska e quan një operacion i posaçëm ushtarak, do të vazhdojë në Ukrainë.

Ukraina dhe Perëndimi thonë se presidenti Putin nuk ka asnjë justifikim për atë që ata e konsiderojnë si një luftë pushtuese të stilit perandorak. Kievi thotë se do të luftojë derisa ushtari i fundit rus të largohet nga territori i vendit./VOA

Ukrainë: Megjithë çlirimin, Kharkivi ende në rrezik të madh

Dyzet kilometra larg kufirit rus, qyteti ukrainas i Kharkivit po përballet me sulme të vazhdueshme ruse, që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Pothuajse i rrënuar, Kharkivi është duke u rindërtuar, që kur forcat ukrainase çliruan rajonin dy muaj më parë. Tani ky rajon është kthyer në simbol të vullnetit të ukrainasve për të mbijetuar. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Anna Chernikova, nga Kievi dhe Stephen Boitano nga Kharkivi, sjellin materialin në vijim. 

Këto rrënoja i përkasin Saltivkas, një nga zonat më të populluara në Kharkiv. Pjesa veriore e lagjes është rreth 40 kilometra nga kufiri me Rusinë. 

Është e vështirë të gjesh një shtëpi të padëmtuar. 

Banori Viktor Monakhov, së bashku me vullnetarë të tjerë, ndihmuan në evakuuimin e civilëve në fillim të luftës. Ai ironizon portretizimin e pushtuesve rusë nga presidenti Vladimir Putin si “vëllezër çlirimtarë”. 

“Nga çatitë e këtyre shtëpive shihet kufiri me Federatën Ruse prej nga erdhën raketat e para. Ju mund të shihni shkatërrimin, pasojat e kësaj ‘dashurie vëllazërore’”, tha me ironi banori Viktor Monakhov. 

Ukrainasit e çliruan Kharkivin në shtator. Por, sulmet me raketa po vazhdojnë. 

“Rusët nuk ndalen duke goditur infrastrukturën. Kjo fatkeqësisht do të vazhdojë deri në fitoren përfundimtare”, tha zoti Monakhov. 

Oleksiy jetonte në lagjen Saltivka me familjen e tij. Biznesi i tij u shkatërrua nga bombardimet e forcave ruse. 

“Shisja rroba për fëmijë në dyqanin tim. Dyqani u sulmua që në ditët e para dhe tregu u shkatërrua plotësisht”, thotë Oleksiy 

Oleksiy tani është vullnetar duke ndihmuar ushtrinë dhe banorët të luftojnë kundër pushtimit rus. 

Kharkivi është afër kufirit me Rusinë dhe për këtë po paguan një çmim të lartë. 

“Ka vështirësi për të siguruar mbrojtjen ajrore. Jemi në rrezik nga raketat dhe raketa-hedhëset”, thotë një nga mbrojtësit e Kharkivit, Vladyslavi. 

Kharkivi është qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe historikisht, banorët e tij kanë patur qëndrime pozitive për Rusinë. 

Por kjo filloi të ndryshojë në vitin 2014 me luftën në Donbas dhe aneksimin e Krimesë. Në vitin 2022, bombardimet e pamëshirshme të Rusisë, jo vetëm që shkatërruan pjesën më të madhe të qytetit, por edhe çdo gjurmë të vullnetit të mirë që kishte mbetur./VOA

Zyrtarët ukrainas: Mbi 10 mijë trupa janë vrarë në luftë

Një këshilltar i lartë i presidentit të Ukrainës, duke cituar shefat e ushtrisë së vendit, tha se 10,000 deri në 13,000 ushtarë ukrainas janë vrarë në luftën nëntë-mujore kundër agresionit të Rusisë.

Ky është një rast i rallë që zyrtarët ukrainas japin shifra për viktimat e luftës dhe ato janë shumë më të ulëta sesa vlerësimet e perëndimit.

Shifrat e reja u dhanë mbrëmë vonënga Mykhailo Podolyak, këshilltar i lartë i presidentit Zelenskyy. Sipas tij numri i trupave të plagosura është më i lartë dhe numri i viktimave civile është "i konsiderueshëm".

"Kemi shifra zyrtare nga shtabi i përgjithshëm, kemi shifra zyrtare nga komanda e lartë dhe ato arrijnë në 10,000 deri 12,500-13,000 të vrarë," tha zoti Podolyak në një intervistë televizive.

Ushtria ukrainase nuk i ka konfirmuar shifrat. Hera e fundit kur zyrtarët ukrainas kanë folur për shifrat ka qenë në fund të gushtit, kur kreu i forcave të armatosura tha se ishin vrarë rreth 9000 trupa. Në qershor, zoti Podolyak tha se çdo ditë po vriteshin deri në 200 ushtarë, në disa prej luftimeve më intensive.

Të mërkurën, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se fillimisht se numri i trupave ukrainase të vrara ishte 100,000, por më pas zyra e saj i korrigjoi komentet - duke thënë se kjo shifër përfshinte edhe të plagosurit.

Muajin e kaluar, Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, gjenerali Mark Milley, tha se deri në atë kohë ishin vrarë, ose plagosur rreth 40,000 civilë ukrainas dhe "mbi 100,000 ushtarë rusë". Ai shtoi se shifrat për ushtrinë ukrainase mund të ishin të ngjashme.

Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut, në përditësimin e saj të fundit javor të hënën, tha se kishte regjistruar 6,655 civilë të vrarë dhe 10,368 të plagosur, por ka pranuar se raporti i saj përfshin vetëm viktima që ka konfirmuar zyra vetë dhe se shifrat aktuale mund të jenë shumë më të larta.

Forcat ruse vazhdojnë sulmet me raketa ndaj infrastrukturës dhe sulme ajrore kundër pozicioneve të trupave ukrainase, tha të premten shtabi i përgjithshëm ukrainas, duke shtuar se ofensiva ushtarake e Moskës është përqendruar tek disa qytete, përfshirë Bakhmutin dhe Avdiivkas - objektiva kyçe për Rusinë në lindjen e vendit.

Zyra e presidentit ukrainas raportoi të premten se të paktën tre civilë u vranë dhe 16 u plagosën në Ukrainë gjatë 24 orëve të fundit dhe se forcat ruse kishin sulmuar nëntë rajone në juglindje të Ukrainës duke përdorur artileri të rëndë, raketa dhe avionë./VOA

Gjermania do t’ia dërgojë Ukrainës qindra gjeneratorë të energjisë

Gjermania do t’ia dërgojë Ukrainës qindra gjeneratorë të energjisë elektrike, pas dëmtimit të infrastrukturës ukrainase si pasojë e bombardimeve të forcave ruse në javët e fundit.

Agjencia federale e Gjermanisë për çështje teknike ka thënë se 150 pajisje të tilla veçse janë dorëzuar dhe 320 tjera do të përgatiten për transport.

Sulmet e Rusisë në Ukrainë janë fokusuar kryesisht në termocentrale.

Teksa temperaturat sa shkojnë e ulen, miliona ukrainas kanë mbetur pa ngrohje, rrymë dhe ujë.

Pajisjet gjermane do të dërgohen kryesisht në Odesa, Mikollaiv dhe Herson.

Autoritetet gjermane kanë thënë se disa prej tyre ofrojnë fleksibilitet pasi gjeneratorët mund të montohen nëpër makina të mëdha.

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës, Andriy Kostin, ka thënë ditë më parë se sulmet e Rusisë në infrastrukturën ukrainase të energjisë përbëjnë gjenocid.

Sipas Konventës së Kombeve të Bashkuara, gjenocidi përfshin “synimin për të shkatërruar, pjesërisht apo plotësisht, një grup kombëtar, etnik, racor apo fetar”.

Rusia mohon se ka një qëllim të tillë në luftën e nisur në fund të muajit shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Tre persona të vrarë dhe shtatë të plagosur në Kherson

Tre persona janë vrarë pas bombardimeve ruse në rajonin jugor të Ukrainës, Kherson, në 24 orët e fundit.

Shtatë persona të tjerë janë plagosur.

Kjo u bë e ditur nga guvernatori rajonal Yaroslav Yanushevych.

Ai tha se trupat ruse kishin bombarduar qytetin e Khersonit dhe pjesë të tjera të rajonit 42 herë gjatë ditës së fundit.

Qyteti i Khersonit u çlirua nga forcat ukrainase në mes të nëntorit pas muajsh pushtimi rus, por ka mbetur nën zjarrin e trupave që u tërhoqën në anën e kundërt të lumit Dnipro.

Kherson është përballur me probleme të përsëritura me furnizimin me energji elektrike, shkruan Sky News.

Dhjetëra bombardues rusë në gatishmëri, frikë për sulme në shkallë të gjerë në Ukrainë

Indikacionet se Rusia po përgatit një sulm ajror në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës janë shtuar ditët e fundit nga përqendrimi i madh i bombarduesve në një bazë ajrore pranë qytetit të Saratov.

Sipas edicionit online të gazetës britanike Daily Mail, rreth 24 bombardues me rreze të gjatë Tu-95 dhe Tu-160 janë përqëndruar në bazën ajrore së bashku me personelin e nevojshëm mbështetës.

Duhet theksuar se dje ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu u kërkoi zyrtarëve rusë vendosjen e armëve moderne në Ukrainë, ndërsa ukrainasit besojnë se sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të vendit do të intensifikohen në orët në vijim.

LEXO EDHE Zbulohen detaje të planit të Moskës para pushtimit të Ukrainës, ky ishte qëllimi - Diplomatë ukrainas marrin letra kërcënuese!

Pamjet nga fusha ajrore ku u montuan bombarduesit rusë u kapën më 28 nëntor dhe u publikuan fillimisht nga Der Spiegel e Gjermanisë .

“Numri jashtëzakonisht i madh i bombarduesve në terren është një tregues i një rritje të operacioneve, nëse jo një sulm i afërt në shkallë të gjerë ,” i tha revistës analisti ushtarak Arda Mevlutoğlu.

Kryebashkiaku i Kievit u bëri thirrje sot banorëve të kryeqytetit ukrainas që të rezervojnë ujë, ushqim dhe rroba të ngrohta, në rast të një ndërprerjeje totale për shkak të bombardimeve ajrore ruse.
Nëse munden, banorët duhet të mendojnë të qëndrojnë me miqtë në periferi të qytetit, tha ai.

Vitali Klitschko paralajmëroi se temperatura brenda shtëpive mund të shkojnë nën zero nëse ka ndërprerje dhe infrastruktura shkatërrohet nëse nuk ka energji elektrike, ujë, ujëra të zeza dhe ngrohje.

SHBA po punojnë me dy vende të Lindjes së Mesme për të zhvendosur sistemet e avancuara të mbrojtjes ajrore Nasams në Ukrainë

Nga: M.H.

CEO i prodhuesit të armëve Raytheon Technologies, Greg Hayes, i tha Politico të enjten vonë:

Ka Nasams të vendosur në të gjithë Lindjen e Mesme dhe disa nga aleatët tanë të NATO-s dhe ne [SHBA] në fakt po punojmë me disa vende të Lindjes së Mesme që aktualisht përdorin Nasams dhe përpiqen t'i drejtojnë ata përsëri në Ukrainë.

Ai foli një ditë pasi Pentagoni i dha një kontratë 1.2 miliardë dollarësh Raytheon për gjashtë Nasams që pritet të ndërtohen në fund të vitit 2025, shkruan The Guardian, përcjell “Bota sot”.

"Vetëm sepse duhen 24 muaj për t'u ndërtuar, nuk do të thotë se do të duhen 24 muaj për të arritur në vend," tha Hayes.

Ai nuk pranoi të përmendte vendet e Lindjes së Mesme që do t'i dërgonin sistemet në Ukrainë, por të dhënat e Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes të cituar nga Politico listojnë Omanin dhe Katarin si blerës të saj.

Kievi mori dy nga tetë dërgesat e miratuara të Nasams në fillim të nëntorit.

Nasams, ose sistemet kombëtare të avancuara të raketave tokë-ajër, kanë një rreze më të gjatë se sistemet e tjera të mbrojtjes ajrore të furnizuara nga perëndimi në Ukrainë.

Kryeministrja e Finlandës thotë se Evropa nuk është sa duhet e fortë pa SHBA-në

Nga: M.H.

Kryeministrja e Finlandës Sanna Marin ka bërë thirrje që Evropa të ndërtojë aftësitë e veta të mbrojtjes në vazhdën e luftës në Ukrainë, duke thënë se pa ndihmën e SHBA-së ajo nuk është mjaft e qëndrueshme.

Duhet të sigurohemi që jemi më të fortë”, tha Marin në Sydney të premten. “Dhe unë do të jem brutalisht i sinqertë me ju, Evropa nuk është mjaft e fortë. Ne do të ishim në telashe pa Shtetet e Bashkuara.”

Marin këmbënguli se Ukrainës duhet t'i jepet "çfarëdo që duhet" për të fituar luftën, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë qenë thelbësore në furnizimin e Kievit me armë, financa dhe ndihmë humanitare të nevojshme për të zbehur përparimin e Rusisë, shkruan The Guardian, përcjell “Bota sot”.

Ne duhet të sigurohemi që po i ndërtojmë gjithashtu ato aftësi kur bëhet fjalë për mbrojtjen evropiane, industrinë evropiane të mbrojtjes, dhe duke u siguruar që ne mund të përballemi në lloje të ndryshme situatash,” tha ajo.

Marin tha se kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, prioriteti i shumicës së finlandezëve ndryshoi "brenda natës" në siguri.

Derisa Rusia pushtoi Ukrainën, prioritetet e Finlandës ishin të kishte marrëdhënie dypalëshe pune me Rusinë dhe të ishte partner i ngushtë me anëtarët e NATO-s, por jo të ishte anëtare, tha ajo. "Kjo ishte mënyra më e mirë për të siguruar kombin tonë.

Tërheqja e Rusisë nga bregu perëndimor i Dnipro i lejon Ukrainës të godasë logjistikën

Nga: M.H.

Tërheqja e Rusisë nga bregu perëndimor i lumit Dnipro muajin e kaluar u ka ofruar forcave të armatosura ukrainase mundësi për të goditur nyjet dhe linjat e komunikimit të logjistikës ruse, ka sugjeruar Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Ky kërcënim ka shumë të ngjarë të shtyjë logjistikanët rusë të zhvendosin nyjet e furnizimit, duke përfshirë pikat e transferimit hekurudhor, më në jug dhe në lindje, thuhet në raportin e fundit të inteligjencës britanike, shkruan The Guardian, përcjell “Bota sot”.

Njësitë ruse të logjistikës do të duhet të kryejnë ngarkim-shkarkim shtesë me punë intensive nga transporti hekurudhor në atë rrugor. Lëvizjet rrugore më pas do të jenë ende të pambrojtura ndaj artilerisë ukrainase pasi ato lëvizin për të furnizuar pozicionet ruse të mbrojtjes përpara”, shton raporti.

Mungesa e municioneve të Rusisë (e përkeqësuar nga këto sfida logjistike) ka të ngjarë të jetë një nga faktorët kryesorë që aktualisht kufizon potencialin e Rusisë për të rifilluar operacionet tokësore ofensive efektive në shkallë të gjerë.”

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat