Itali: Reshje dhe vërshime me pasoja të rënda

Evropë

Itali: Reshje dhe vërshime me pasoja të rënda

Më: 18 maj 2023 Në ora: 08:16
Përmbytje në Itali

Rajonet Emilia-Romagna dhe Marken në Itali janë prekur rëndë nga reshjet e fuqishme dhe vërshimet. Të paktën tetë vetë kanë hummbur jetën dhe qindra të tjerë janë evakuuar.

Reshje të fuqishme me stuhi kanë trazuar prej ditësh rajonin turistik të Emilia-Romagnas dhe Marken në Itali. Pasojat janë dramatike me përmbytje në zonat përgjatë brigjeve të Adriatikut.

Sipas të dhënave zyrtare të paktën tetë vetë kanë humbur jetën. Një ndër viktimat ishte një i moshuar, i cili sipas mediave, ndodhej në katin e parë të shtëpisë së tij gjatë kohësh së vërshimeve dhe u mbyt. Ka gjithashtu njoftime për persona të humbur.

600 aksione shpëtimi ka pasur shërbimi i emergjencës vetëm në Emilia-Romagna.

Shërbimi i emergjencës, sipas të dhënave të veta, është prezent në vendngjarje me rreth 400 forca. Ekipet e shpëtimit kanë shpëtuar njerëz, të cilët ishin bllokuar prej masave të ujit në shtëpitë e tyre, ose njerëz të bllokuar në automjetet e tyre, që kishin mbetur në mes të ujit.

Në Cesena, lumi Savio ka dalë nga shtrati, shumë njerëz u shpëtuan nga ekipet e emergjencës, pasi ishin bllokuar duke gjetur shpëtim në çatitë e shtëpive të tyre të izoluara prej ujit. Në disa zona të tjera u vunë helikopterë në përdorim për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nëpër shtëpi prej vërshimeve.

Formel 1 anulon garat në Imola 

Garat në Imola të Formula 1 të planifikuara për fundjavën u anuluan. Qeveria i ka tërhequr në zonat e përmbytjeve forcat e shpëtimit të planifikuara për garat. Vërshimet nisën qysh të martën (16.05) në zonën e Emilia-Romagna-s dhe Marken. Sipas të dhënave të fundit janë vendosur në vende të sigurta deri tani disa mijëra njerëz. Disa linja trenash nuk qarkullojnë dhe shkollat janë mbyllur. Për shkak të erës së fortë dhe rrezikut të dallgëve të larta komunat përgjatë Adriatikut e kanë ndaluar daljen në plazhe.

Thatësirë dhe tani reshje të fuqishme

Në sfondin e gjendjes dramatike në zonat e prekura foli edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni duke u shprehur "solidaritet të plotë" njerëzve në këto rajone.

Verën e kaluar Italia u përball me thatësira të pazakonta, edhe këtë dimër reshjet kanë qenë të pakta dhe tani në pranverë një sërë liqenesh dhe lumenjsh kryesisht në veri të Italisë kanë nivel jashtëzakonisht të ulët të ujërave - si p.sh. në liqenin Garda. Pavarësisht reshjeve të fuqishme të këtyre ditëve, ekspertët edhe sivjet parashikojnë një verë me thatësira. Kjo mund të ketë pasoja të mëdha ndaj bujqësisë dhe turizmit./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat