VOA/ Presidenti i Serbisë largohet nga drejtimi i partisë në pushtet

Evropë

VOA/ Presidenti i Serbisë largohet nga drejtimi i partisë në pushtet

Më: 27 maj 2023 Në ora: 20:49
Aleksandër Vuçiq

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet në një kongres të partisë të shtunën, por tha se do të mbetet president i shtetit. Në vend të tij në krye të partisë do të jetë ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviç.

Vendimet u shpallën një ditë pasi dhjetëra mijëra njerëz nga e gjithë Serbia dhe nga Kosova fqinje, Mali i Zi dhe Bosnja u mblodhën në qendër të Beogradit në shenjë mbështetjeje për të pas protestave të mëdha antiqeveritare rreth dy sulmeve në masë që lanë pas vetes 18 të vrarë në fillim të këtij muaji.

Një tjetër protestë antiqeveritare u mbajt të shtunën në Beograd.

Partitë opozitare dhe vëzhguesit e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar prej kohësh Vuçiçin dhe Partinë Përparimtare për autokraci, mbytje të lirisë së medias, dhunë kundër kundërshtarëve politikë, korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Në tri protesta të mëdha antiqeveritare të mbajtura në fillim të këtij muaji në Beograd, por edhe të shtunën, demonstruesit kërkuan rrëzimin e presidentit Vuçiç si dhe dorëheqjen e dy zyrtarëve të lartë të sigurisë. Ata kërkuan gjithashtu tërheqjen e licencave të transmetimit për dy stacione televizive pro presidentit Vuçiç, që promovojnë dhunën dhe shpesh ftojnë kriminelë të dënuar lufte dhe figura të tjera të krimit.

Presidenti Vuçiç dhe aleatët e tij i mohojnë akuzat dhe fajësojnë opozitën për dëmtim të Serbisë në një periudhë kur sipas Vuçiçit po përballet me një periudhë të vështirë për Kosovën.

”Ne do të ruajmë paqen; do të kërkojmë paqe. Unë do të luftoj çdo sekondë që paqja të zgjasë më shumë, por po ju them; në sulmin e parë ndaj serbëve në veri të Kosovës, Serbia nuk do rrijë duarkryq”, u tha presidenti Vuçiç të tubuarve të premten në mbrëmje në Beograd.

Ai i tha kongresit se do të qëndrojë në krye të shtetit dhe do të mbetet anëtar i partisë, e cila do t'i bashkohet një organizate politike ombrellë që Vuçiç planifikon ta krijojë më 28 qershor të cilën e ka quajtur Lëvizja Popullore për Shtetin.

Aleksandar Vuçiç u bë kryetar i Partisë Përparimtare Serbe në vitin 2012, duke zëvendësuar Tomislav Nikoliçin, i cili mbante postin që nga viti 2008 kur partia u formua si një degë e Partisë Radikale Serbe të ultranacionalistit Vojislav Sheshel.

Alekasnadar Vuçiç fillimisht shërbeu si zëvendëskryeministër dhe kryeministër, dhe më pas u zgjodh president në vitin 2017 dhe në në vitin 2022. Mandati i tij i dytë dhe i fundit skadon në vitin 2027.

Një nacionalist i zjarrtë gjatë luftërave në vitet e 90-ta Vuçiçi më vonë përqafoi politikat pro-evropiane, duke shpallur anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian synimin e tij strategjik. Por ai mban gjithashtu lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën. Serbia është vendi i vetëm evropian që nuk u është bashkuar sanksioneve kundër Moskës për shkak të agresionit të saj në Ukrainë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat