Skandali “Qatargate” vë në lëvizje BE-në, ngritet një organ etik - ja 7 mekanizmat që do të ndalojnë korrupsionin

Evropë

Skandali “Qatargate” vë në lëvizje BE-në, ngritet një organ etik - ja 7 mekanizmat që do të ndalojnë korrupsionin

Më: 10 qershor 2023 Në ora: 08:06
Eva Kaili

Pas skandalit “Qatargate”, Bashkimi Evropian është fokusuar në luftën kundër korrupsionit. Ndaj, Komisioni Evropian ka miratuar një propozim për krijimin e një organi ndërinstitucional për çështjet etike, i cili do të përfshinte anëtarë të institucioneve të BE-së, pra Parlamentin Evropian, Këshillin Evropian, Bankën Qendrore Evropiane dhe të tjerë.

Komisioni thekson se me ngritjen e një organi për çështjet etike, për herë të parë do të ketë standarde të qarta, mekanizma kundër korrupsionit që do të vlejnë për të gjithë politikanët e BE-së, në shtatë fusha bazë. Bie në sy vendosja e standardeve për marrjen e dhuratave, shërbimet e kateringut dhe udhëtimet nga të tretët. Në vend të dytë renditen masat e kushtëzimit dhe masat e transparencës, veçanërisht për takimet me përfaqësues të grupeve të interesit. Në vend të tretë janë standardet etike lidhur me interesat dhe pasuritë që do të deklarohen, ku do të përcaktohen kategoritë dhe procedurat e kontrollit të këtyre deklaratave.

E katërta lidhet me aktivitetet shoqëruese ose të jashtme, për të siguruar që disponueshmëria dhe pavarësia e anëtarëve të mos cenohet. Grupi i pestë ka të bëjë me aktivitetet e ish-anëtarëve pas përfundimit të mandatit, që duhet të jenë publike.

Standardi i gjashtë i referohet “zbatimit të një kuadri të përbashkët, duke përfshirë monitorimin e përputhshmërisë dhe ndjekjen në rastet e shkeljeve të rregullave brenda njërit prej institucioneve, edhe për rastet e mundshme të ngacmimeve dhe sanksioneve”. Në vendin e fundit, pra të shtatë është publikimi i informacionit, që do të thotë se çdo institucion do të duhet të publikojë se si i zbaton këto standarde.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat