Moti i ngrohtë shkrin akullnajat alpine në Itali, shtatë metra më shumë se vitin e kaluar

Evropë

Moti i ngrohtë shkrin akullnajat alpine në Itali, shtatë metra më shumë se vitin e kaluar

Më: 14 shtator 2024 Në ora: 09:57
Foto ilustrim

Autoritetet përkatëse në Lombardi vlerësuan se akullnaja lindore Dosdè, u shkri me 7 metra në krahasim me vitin e kaluar.

Këto rezultate vijnë pavarësisht reshjeve të mëdha të borës së prillit dhe majit të kaluar. Andrea Toffaletti, një anëtar i shërbimit graciologjik të Lombardisë tha se: “Këtë vit akullnaja është shkrirë me rreth shtatë metra. Mendoni se mund të jetë një vit pozitiv, në vend të kësaj, ne arritëm në fund të verës me vetëm 20% të akullnajave të mbuluara nga bora e mbetur nga viti më parë. Bora është çelësi për të mbrojtur akullin dhe për të ushqyer rritjen e akullnajave alpine, të cilat janë në rrezik pas temperaturave në rritje. Aktualisht ka ende pak borë, por në pjesën dërrmuese të akullnajës ajo është shkrirë plotësisht për shkak të temperaturave veçanërisht të larta të verës. Pra, ajo që po vëzhgojmë është se reshjet e borës në periudhën e akumulimit janë ende të rëndësishme, por ajo që do të ndikojë në fund në balancën akullnajore janë temperaturat e verës.”

Bora dhe akullnajat janë rezervuarët kryesorë të ujit për të përballuar muajt e thatë të verës dhe për të siguruar ujë për familjet dhe ujitje. “Nga viti 1991 e deri më sot sipërfaqja e akullnajave të Lombardisë ka shkuar nga 118 kilometra katrorë në 70 kilometra katrorë aktualë, pra një humbje e konsiderueshme prej rreth 40, 45% të sipërfaqes së saj,”-theksoi Andrea. Sipas Shërbimit Europian të Ndryshimeve Klimatike Copernicus, gushti 2024 përputhej me nxehtësinë rekord të gushtit 2023, i cili ishte 1.5 gradë Celsius mbi nivelin para-industrial.

Rritja e nivelit të Oqeanit Paqësor ka tejkaluar mesataren globale, e cila kërcënon disa shtete ishullore, sipas një raporti të Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO). Në raport thuhet se niveli i ujit po rritet sepse temperaturat e larta të shkaktuara nga djegia e vazhdueshme e lëndëve djegëse fosile po shkrin akullnajat.

“Aktivitetet njerëzore kanë dobësuar kapacitetin e oqeanit për të na mbajtur dhe me rritjen e niveleve, oqeani po bëhet një kërcënim në rritje”-tha Sekretarja e Përgjithshme e WMO, Celeste Saulo. Rritja e niveleve të oqeaneve ka çuar tashmë në një rritje të shpeshtësisë së përmbytjeve, e cila është veçanërisht e zakonshme në ishujt si Ishujt Kuk dhe Polinezia Franceze.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat