​Profesori serb: Regjimi është i gatshëm të qëllojë me armë mbi popullin e vet

Evropë

​Profesori serb: Regjimi është i gatshëm të qëllojë me armë mbi popullin e vet

Më: 21 mars 2025 Në ora: 17:58
Jovo Bakiq

Profesori i Fakultetit Filozofik në Beograd dhe sociologu i njohur, Jovo Bakiq, në një intervistë për revistën “Radar”, ka kritikuar ashpër pushtetin aktual në Serbi, duke theksuar se regjimi është i gatshëm të përdorë dhunë kundër qytetarëve të vet, përfshirë edhe përdorimin e armëve të ndaluara gjatë protestave paqësore.

"Një pushtet që lavdërohet me serbizëm, përdor armë kundër serbëve ndërsa ata po nderojnë viktimat e korrupsionit shtetëror. Kjo tregon se regjimi i konsideron serbët si armiq,” deklaroi Bakiq, duke komentuar protestat e fundit të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave, sipas pjesëmarrësve, është përdorur armë zanore.

Duke folur për përdorimin e armës zanore, Bakiq thekson se ajo është përdorur për të shkaktuar trauma psikike dhe lëndime fizike, pikërisht në momentin kur qytetarët po nderonin viktimat. “Kjo është një mesazh i qartë se regjimi është i gatshëm të shkojë deri në fund. Por harrojnë se edhe policët janë pjesë e këtij populli, dhe shumë prej tyre nuk do të pranojnë të qëndrojnë përkrah strukturave kriminale,” theksoi ai.

Ai mbështet thirrjet e studentëve për grevë të përgjithshme, me apel që shoqëria të organizohet më gjerësisht – nga punëtorët e shërbimeve publike deri te arsimtarët. “Nëse GSP mund të ndalet për një ditë, mund të ndalet edhe gjatë ditëve të punës. Edhe ata janë të pazëvendësueshëm,” tha Bakiq.

I pyetur për rezultatin e mundshëm të krizës, Bakiq është i prerë: “Zgjidhja mund të jetë vetëm një – rënia e regjimit. Pyetja është vetëm kur, si dhe me çfarë çmimi.” Ai shton se gjithnjë e më shumë qytetarë, përfshirë botën akademike dhe kulturore, por edhe faktorë ndërkombëtarë, po e kuptojnë se pushteti nuk mund të sigurojë më stabilitet.

Edhe pse studentët deri tani nuk janë angazhuar politikisht, Bakiq beson se po vjen koha që të artikulojnë kërkesat e tyre politike. “Ata tashmë kanë bërë shumë. Tani është radha jonë që t’u bashkohemi dhe ta ‘ziejmë këtë mish të fortë’ derisa të shpërbëhet.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat