Këto imazhe tregojnë takimin e Donald Trump dhe Volodymyr Zelenskyy brenda vetë Bazilikës së Shën Pjetrit.
Imazhet e jashtëzakonshme konfirmojnë raportimin e mëparshëm se dyshja u takua përpara funeralit të Papa Françeskut.
“Presidentët u takuan në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe takimi zgjati rreth 15 minuta”, ka thënë zyra e Zelenskyt, shkruajnë mediat e huaja.

“Udhëheqësit ranë dakord të vazhdojnë negociatat sot. Ekipet po punojnë për organizimin e takimit pasues”.
Ndërkohë një fotografi tjetër tregon Emmanuel Macron të Francës dhe Sir Keir Starmer të Britanisë së Madhe duke folur gjithashtu me dyshen.

Takimi i tyre dypalësh vjen pasi negociatori i paqes i zotit Trump, Steve Witkoff, zhvilloi bisedime me Vladimir Putin në Kremlin.
Ai vjen pasi Donald Trump ka thënë se Rusia dhe Ukraina janë “shumë afër një marrëveshjeje” me “shumicën e pikave kryesore të dakorduara” – ndërsa bëri thirrje që të dyja palët të takohen.

Menjëherë pas mbërritjes në Romë për funeralin e Papa Françeskut, presidenti amerikan theksoi se zyrtarët e nivelit të lartë tani duhet të takohen për të “përfunduar [marrëveshjen]”, shkruajnë mediat e huaja.
“Shumica e pikave kryesore janë dakordësuar. Ndalojeni gjakderdhjen, TANI. Ne do të jemi kudo që të jetë e nevojshme për të ndihmuar në ‘lehtësimin’ e FUNDIT të kësaj lufte mizore dhe të pakuptimtë!”, kishte theksuar Trump.
Gjatë gjithë javës, presidenti amerikan ka kritikuar si Ukrainën ashtu edhe Rusinë për dështimin e arritjes së një marrëveshjeje paqeje.
Presidenti dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë kërcënuar gjithashtu të tërhiqen nga negociatat nëse nuk arrihet përparim drejt një marrëveshjeje.