​KE kërcënon Viktor Orban me sanksione

Evropë

​KE kërcënon Viktor Orban me sanksione

Më: 24 maj 2025 Në ora: 20:35
Viktor Orban

Komisioni Evropian ka kërcënuar me masa Hungarinë nëse qeveria e kryeministrit Viktor Orban miraton ligjin e diskutueshëm që kufizon punën e organizatave joqeveritare.

Miratimi i ligjit për “transparencën në jetën publike” do të impononte rregulla strikte ndaj organizatave joqeveritare të financuara nga jashtë, të cilat konsiderohen si rrezik për sovranitetin e Hungarisë.

Projektligji, i paraqitur në parlamentin hungarez nga partia konservatore nacionaliste Fidesz e Orban, përbën një shkelje serioze të ligjit të Bashkimit Evropian, sipas Komisionit duke kërkuar tërheqjen e draftit nga procesi legjislativ.

Nëse ligji miratohet, Komisioni i kryesuar nga presidentja Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se nuk do të hezitojë të merr masat e nevojshme, duke rezultuar në gjoba të larta për shtetet anëtare që nuk respektojnë ligjin e Bashkimit Evropian.

I krahasueshëm me legjislacionin aktual në Rusi, projektligji lejon që organizatat joqeveritare të financuara nga jashtë që mund të ndikojnë në opinionin publik të futen në listën e zezë.

Këto organizata mund të marrin më pas mbështetje materiale nga jashtë vetëm me miratimin e administratës tatimore të vendit ku ato operojnë.

Nëse një organizatë joqeveritare financohet në mënyra të tjera, duhet t'i paguajë shtetit 25-fishin e shumës si gjobë, në të kundërt do të shkrihet dhe do të ndalohet.

Organizatat joqeveritare luftojnë për të drejtat e njeriut, mjedisin ose shëndetin dhe aspekte të tjera të jetës publike. Shembuj të njohur përfshijnë Mjekët pa Kufij, Amnesty International dhe Greenpeace.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat