“Vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi dyshohet se është e porositur”- “La Repubblica”: Autori u vetëdorëzua, në banesë iu gjetën shumë të mëdha parash

Evropë

“Vrasja e biznesmenit italian Edoardo Sarchi dyshohet se është e porositur”- “La Repubblica”: Autori u vetëdorëzua, në banesë iu gjetën shumë të mëdha parash

Më: 17 tetor 2025 Në ora: 13:01
Foto ilustrim

Gazeta prestigjioze italiane “La Repubblica” i ka kushtuar një artikull të zgjeruar vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi, i cili humbi jetën mbrëmjen e 26 shtatorit në Tepelenë, Shqipëri.

Ngjarja ka marrë vëmendje të madhe në mediat italiane pas vetëdorëzimit në polici të autorit të dyshuar, Kamber Sulçaj.

Sipas La Repubblica, vrasja e 44-vjeçarit italian, baba i dy fëmijëve dhe pronar i një kompanie ndërtimi në Itali, mund të mos ketë qenë thjesht një konflikt i çastit, por një krim i mirëorganizuar. Dyshimet për një vrasje me porosi janë shtuar pas gjetjes së armëve, sasisë së parave dhe pajisjeve të tjera në banesën e Sulçajt.

Artikulli

Është vetëdorëzuar në policinë e Gjirokastrës njeriu i kërkuar për vrasjen e Edoardo Sarchit, sipërmarrësit 44-vjeçar të ndërtimit që humbi jetën nga një plumb në Shqipëri, mbrëmjen e 26 shtatorit.

Bëhet fjalë për Kamber Sulçajn, një 48-vjeçar që kërkohej nga policia që prej 29 shtatorit si autor i dyshuar i vrasjes dhe që, sipas hetimeve, kishte pasur një grindje me sipërmarrësin dhe bashkëpunëtorët e tij. Aktualisht, policia po e merr në pyetje.

Një nga hipotezat për motivin ende e pakonfirmuar nga autoritetet shqiptare është ajo e një debati të ashpër midis katër personave për dritat e makinave, që ndriçonin natën në errësirën e fshatit.

Por dinamika e vrasjes mbetet ende e paqartë, sidomos duke marrë parasysh shumën e madhe të parave, armët e shumta dhe pajisjet e gjetura në shtëpinë e Sulçajt, që nxisin dyshimet për një vrasje me porosi, një skenar krejt i ndryshëm nga ai i një krimi të kryer në gjaknxehtësi.

Akuzat ndaj tij janë: “vrasje në rrethana të tjera rënduese”, “mbajtje dhe prodhim të paligjshëm armësh, eksplozivësh dhe municionesh”, si dhe “prodhim e shitje të lëndëve narkotike”.

Mbrëmjen e ngjarjes, Edoardo Sarchi, bashkë me ortakun e tij Eqerem Braçe dhe dy djemtë e këtij të fundit, ishin nisur për gjueti në zonën e Dilanit, në Tepelenë, rreth 200 kilometra nga Tirana.

Sipas hetimeve, Sulçaj, pas një debati të ashpër, ka qëlluar me armë zjarri me fishekë të plotë drejt Sarchit, ortakut të tij dhe dy djemve — por edhe drejt automjeteve të tyre.

Plumbat kanë kapur vetëm Sarchin, baba i dy fëmijëve, i martuar dhe sipërmarrës i njohur në sektorin e ndërtimit në zonën e Vareses, në Itali. Ai ishte pronar i kompanisë “Tegola Edilcentro”, themeluar tridhjetë vjet më parë nga xhaxhai i tij.

Fillimisht, policia kishte sekuestruar dy automjetet dhe kishte marrë në pyetje për gati 12 orë tre personat që ndodheshin me Sarchin atë mbrëmje, si edhe një person të katërt. Të gjithë u lanë të lirë më pas për mungesë provash.

Sulçaj ka dorëzuar pushkën e gjuetisë me tytë të gdhendur, me të cilën dyshohet se ka qëlluar ndaj Sarchit, si edhe lejen për mbajtjen e armës.

Ekspertët e seksionit për hetimin e krimeve të rënda pranë Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës kanë kryer procedurat për kërkesën e arrestit me burg, të cilin gjykata e kishte urdhëruar në mungesë.

Sulçaj, banor i fshatit Mesaplik, në Vlorë, dyshohet se ka qëlluar pikërisht me atë pushkë gjuetie me tytë të gdhendur ndaj Sarchit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat