Qeveria pezullon përkohësisht marrëveshjen për dorëzimin e sovranitetit mbi ishujt

Evropë

Qeveria pezullon përkohësisht marrëveshjen për dorëzimin e sovranitetit mbi ishujt

Më: 11 prill 2026 Në ora: 19:38
Foto ilustrim

Qeveria e Mbretërise se Bashkuar njoftoi këtë të shtunë  se ka vendosur të pezullojë përkohësisht marrëveshjen për dorëzimin e sovranitetit mbi Ishujt Chagos, ku ndodhet baza strategjike ajrore Diego Garcia, e përdorur nga SHBA dhe Britania. Sipas raportimeve, projektligji që do të mundësonte kalimin e ishujve nën sovranitetin e Mauritius nuk do të përfshihet në agjendën e ardhshme parlamentare, pasi marrëveshja kërkon edhe mbështetjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zyra e kryeministrit Keir Starmer deklaroi se Londra do të vazhdojë përpjekjet për të bindur Uashingtonin që të japë miratimin formal. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump e ka kritikuar marrëveshjen, duke e cilësuar atë si një “gabim të madh”.

Sipas planit të propozuar, Britania do të ruante kontrollin mbi bazën e rëndësishme ushtarake në Diego Garcia përmes një qiraje 99-vjeçare, duke garantuar vazhdimësinë e operacioneve amerikane atje. Një zëdhënës i qeverisë britanike theksoi se siguria afatgjatë e bazës mbetet prioritet.

“Ne vazhdojmë të besojmë se kjo marrëveshje është mënyra më e mirë për të mbrojtur të ardhmen e bazës, por kemi theksuar gjithmonë se do të ecim përpara vetëm me mbështetjen e SHBA-së,” deklaroi ai, duke shtuar se kontaktet me SHBA-në dhe Mauritiusin janë në vijim.

Ishujt Chagos kanë qenë objekt polemikash për dekada, pasi Britania dëboi me forcë deri në 2,000 banorë vendas gjatë viteve 1960–1970 për ndërtimin e bazës ushtarake. Përfaqësues të komunitetit ne Chagos  kanë shprehur zhgënjim për zhvillimet e fundit, duke kërkuar transparencë dhe të drejtën për vetëvendosje, si dhe rikthimin dinjitoz në vendlindje. Ndërkohë, marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Londrës ka pesuar tensione te forta ne javët e fundit, për shkak të qëndrimeve të ndryshme mbi konfliktet ndërkombëtare, përfshirë luftën SHBA-Izrael kundër Iranit. Trump ka kritikuar vazhdimisht Starmer, duke thënë se ai ka dëmtuar atë që shpesh quhet “marrëdhënia speciale” mes dy vendeve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat