Zgjedhjet në Hungari: Viktor Orban pranon humbjen, lideri i opozitës thotë se partia në pushtet e ka uruar për fitoren

Evropë

Zgjedhjet në Hungari: Viktor Orban pranon humbjen, lideri i opozitës thotë se partia në pushtet e ka uruar për fitoren

Nga: REL Më: 12 prill 2026 Në ora: 20:39 Përditësuar në ora: 21:40 më 12.04.2026
Udhëheqësi opozitar, Peter Magyar dhe kryeministri hungarez, Viktor Orban.

Viktor Orban pranon humbjen, lideri i opozitës thotë se partia në pushtet e ka uruar për fitoren

Peter Magyar, lideri i opozitës hungareze, ka thënë se kryeministri Viktor Orban e ka uruar partinë e tij për "fitoren" e saj.

Në një postim në Facebook, Magyar shkroi: "Kryeministri Viktor Orban na përgëzoi për fitoren tonë nëpërmjet telefonit".

Në anën tjetër vetë Orban e ka pranuar këtë në një fjalim para mbështetësve, duke u thënë atyre: “Rezultati i zgjedhjeve është i qartë dhe i dhimbshëm”.

Orbán u ka thënë mbështetësve se detyra e tyre është e qartë: "Ne nuk kemi peshën e qeverisjes së vendit, kështu që duhet të rindërtojmë komunitetet tona".

Zgjedhjet në Hungari, sondazhet sugjerojnë se Péter Magyar po shkon drejt një fitoreje të madhe

Ai falënderoi dy milionë e gjysmë votues që kanë votuar për partinë e tij Fidesz deri më tani dhe premtoi se ata nuk do të zhgënjehen kurrë.

"Ne nuk dorëzohemi kurrë, kjo është një gjë që njerëzit e dinë për ne, ne nuk dorëzohemi kurrë. Ditët që na presin janë për ne që të shërojmë plagët tona", shtoi ai.

Edhe sondazhet e realizuara deri më tani e nxjerrin fitues partinë e Peter Magyar, i cili po arrin që ta rrëzojë nga pozita Orbanin i cili prej 16 vitesh udhëhoqi me Hungarinë. 

Hungari: Numërohen 21.54% e votave, kryeson Tisza me 128 ulëse, Orbani vetëm 62

Në zgjedhjet parlamentare në Hungary, me 21.54% të votave të numëruara, rezultatet paraprake tregojnë një epërsi të theksuar të Tisza Party, ka raportuar The Guardian.

Sipas rezultateve aktuale:

Tisza Party: 128 ulëse

Fidesz–KDNP: 62 ulëse

Mi Hazánk Mozgalom: 8 ulëse

Partia Fidesz, e udhëhequr nga kryeministri Viktor Orbán, renditet aktualisht në vendin e dytë, dukshëm pas opozitës.

Nëse ky trend konfirmohet deri në përfundim të numërimit, Tisza Party do të siguronte një shumicë të rehatshme parlamentare në Kuvendin prej 199 ulësesh, duke hapur rrugë për ndryshim të pushtetit pas më shumë se një dekade dominimi nga Fidesz.

Zgjedhjet në Hungari: Kundërshtari i Orbanit, “optimist” për rezultatin

Vendvotimet për zgjedhjet parlamentare në Hungari janë mbyllur, teksa dalja në votime ishte më e larta ndonjëherë. Gara kryesore zgjedhore është mes ndërmjet kryeministrit aktual, Viktor Orban, që është që 16 vjet në pushtet, dhe udhëheqësit opozitar, Peter Magyar.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, Magyar tha për mediat se është "optimist", por "i kujdesshëm" për rezultatin zgjedhor.

Hungaria ka një sistem të përzier zgjedhor. Votuesit hungarezë në votime kishin të drejtë të zgjidhin një parti dhe një kandidat lokal.

Vota për partinë përcakton 93 ulëse në mënyrë proporcionale, ndërkaq 106 vende në parlament vijnë nga qarqet individuale dhe rëndomë ato janë vendimtare.

Aktualisht, sipas rezultateve paraprake, Tisza udhëheq në votën kombëtare, por më e rëndësishme, po ashtu po prin në garën e qarqeve. Nëse ky trend vazhdon kështu, kjo do të përkthehej në shumicë parlamentare.

Po ashtu, pas përfundimit të votimeve, janë publikuar disa sondazhe, dy nga të cilat parashohin fitoren e Magyarit, ndërkaq një atë të Orbanit.

Sipas një sondazhi të Qendrës Kërkimore 21 me seli në Budapest, që është kryer këtë javë dhe është publikuar pas përmbylljes së votimeve, partia proevropiane Tisza e udhëheqësit opozitar, Peter Magyar, pritet të fitojë 55 për qind të votave, ndërkaq koalicioni Fidesz-KDNP pritet të fitojë 38 për qind.

Ndërkaq, sondazhi i Median, po ashtu i kryer para votimeve, thotë se partia e Magyarit do të fitojë 57.1 për qind, apo 135 ulëse në Parlament, dy më shumë se 133 sa kërkohen për shumicën prej dy të tretave.

Por, një sondazh tjetër, i Alapjogokert, që sugjeroi se Orbani do të fitojë mandatin e gjashtë. Sipas këtij sondazhi, partia Fidesz pritet të fitojë 44.5 për qind të votavem ndërkaq Tisza 42 për qind.

Qendrat e votimit u mbyllën në orën 19:00 dhe dalja ishte 77.8 për qind, gjysmë ore para përfundimit të procesit. Kjo shifër shënon rekord të ri, pasi dalja më e lartë më herët ishte regjistruar më 2002 kur kishin votuar 70.5 për qind e votuesve.

Rezultatet paraprake pritet të dalin pak pasi të mbyllen vendvotimet, por nëse gara është e ngushtë, fituesi mund të mos shpallet derisa të përfundojë numërimi i të gjitha votave deri të shtunën e ardhshme, sipas Zyrës Kombëtare Zgjedhore.

Zgjedhjet hungareze po vëzhgohen me kujdes nga Kievi dhe Moska, si dhe nga Bashkimi Evropian, teksa presidenti amerikan, Donald Trump, ka ofruar mbështetje për Orbanin, i cili ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë, edhe pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.

Të dyja kampet kanë bërë akuza për ndërhyrje të jashtme gjatë fushatës në Hungari, që ka 9.5 milionë banorë.

Në garë po marrin pjesë vetëm pesë parti – më së paku parti pjesëmarrëse në zgjedhje që nga demokratizimi i Hungarisë më 1990 – pasi disa parti janë tërhequr nga gara për të rritur shanset e fitores të partisë Tisza.

Orban, 62 vjeç, po synon mandatin e gjashtë radhazi.

Si anëtar i BE-së, ai ka arritur të bllokojë apo zbusë shumë vendime të BE-së për sanksionet ndaj Rusisë, pasi Moska nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022. Po ashtu ka penguar disa vendime për mbështetjen e BE-së për Ukrainën.

Magyar, 45 vjeç, hyri në skenën politike dy vjet më parë, duke fituar mbështetje në mes të stagnimit ekonomik.

Udhëheqësi i partisë Tisza, Peter Magyar, u ka bërë thirrje hungarezëve “që të rimarrin atdheun” për të konfirmuar vendin e Hungarisë në BE si dhe ka premtuar se do të luftojë korrupsionin dhe do të ofrojë shërbime më të mira për qytetarët.

Orban në tubimet zgjedhore ka paralajmëruar “që të mos vihet gjithçka në rrezik”, duke bërë thirrje që të “mbrohet ajo çfarë kemi arritur.

Kryeministri hungarez e ka bërë Ukrainën temë kyç të fushatës së tij, duke e paraqitur këtë shtet fqinj, që po lufton kundër pushtimit të nisur nga Rusia, si shtet “armiqësor” ndaj Hungarisë.

Ai po ashtu është zotuar se do të vazhdojë shtypjen ndaj “organizata të rreme të shoqërisë civile, gazetarëve të blerë, gjykatësve dhe politikanëve”.

Sipas organizatës Ambesty Iternational, Hungaria, së bashku me Bullgarinë, janë shtetet më të korruptuara të BE-së.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat