Rreziqe të reja shëndetësore po avancojnë me shpejtësi, paralelisht me tregun kompleks të drogës. Kështu ka paralajmëruar të martën Agjencia e BE-së për Drogën.
Në raportin vjetor, të bazuar në të dhënat e 27 shteteve anëtare plus Norvegjinë dhe Turqinë, vihen në dukje shqetësimet jo vetëm për praninë e substancave në treg, por edhe për rritjen e shumëllojshmërisë së tyre. Vëmendja fokusohet tek drogat e reja sintetike me bazë opiumi.
“Këto droga janë substanca jashtëzakonisht të forta”, ka deklaruar për Euronews Lorraine Nolan, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë së BE-së për Drogën.
Sipas saj, një gram i vetëm nga substancat në fjalë mjafton për të bërë rreth 1 mijë doza vdekjeprurëse.
“Ndaj ka një marzh shumë të ngushtë mes dozës së përdoruesit dhe mbidozës”, ka theksuar Nolan.
Ajo ka dhënë alarmin për praninë masive të këtyre lëndëve në treg dhe për faktin se shpesh herë, përdoruesit nuk e dinë se çfarë substance po marrin.