​Zjarr në Halkidiki, turistët detyrohen të largohen nga plazhi me anije

Evropë

​Zjarr në Halkidiki, turistët detyrohen të largohen nga plazhi me anije

Më: 14 gusht 2026 Në ora: 15:04
Fotoilustrim

Qendra Operacionale e Rojës Bregdetare Greke koordinoi një operacion të madh për evakuimin e 481 personave nga plazhi i Sivirit në Halkidiki, ku të enjten pasdite u përhap një zjarr i madh.

Situata sot në mëngjes është përmirësuar ndjeshëm, ndërsa vijojnë pa ndërprerje hedhjet e ujit nga ajri për shuarjen e vatrave të vogla të mbetura.

Forcat e emergjencës janë në gatishmëri të shtuar për shkak të forcimit të ndjeshëm të erërave që pritet nga mesdita e sotme, raporton agjencia greke-maqedonase e lajmeve AMNA, transmeton KosovaPress.

Sipas Shërbimit Zjarrfikës, zona e djegur vlerësohet në jo më shumë se 350 hektarë, që përbën rreth 1 për qind të sipërfaqes së përgjithshme të Kassandrës.

Për evakuim u angazhuan dy anije të Rojës Bregdetare, dy varka të Shërbimit Zjarrfikës, tri varka peshkimi, mjete private dhe një traget i shpejtë për pasagjerë dhe automjete. Disa prej tyre kanë mbetur në zonë për të ofruar ndihmë nëse nevojitet.

AMNA raporton se ekipet e operatorit të energjisë dhe Rajonit të Maqedonisë Qendrore po punojnë për rikthimin e energjisë dhe furnizimit me ujë në Siviri. Ndërkohë, gjeneratorë po dërgohen në Siviri dhe Fourka për të furnizuar infrastrukturën publike dhe impiantet e trajtimit të ujërave të zeza.

Bashkimi Evropian ka aktivizuar shërbimin Copernicus për hartëzimin e zjarrit përmes imazheve satelitore dhe mbështetjen e ekipeve të zjarrfikësve.

Ndërkohë, hotelierët në Halkidiki dhe Selanik kanë ofruar dhoma për personat e prekur nga zjarri në zonën e Sivirit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat